Lindur në vitin 1922 në fshatin Plasat të Kardhiqit Gjirokastër, me profesion bujk. Deri pas lufte analfabet, por në moshën 22 vjeçare, në shkurt-shtator 1947, kur ishte me punë në Skrapar, mbaroi (të gjithë) arsimin fillor. Koha kur e ka mbaruar këtë arsim, ka pak gjasa të vërtetojë plotësimin e këtij detyrimi “madhor”, për kuadrot komunistë të kohës.
Doli partizan siç doli shumica, në vitin e fundit të luftës, më 15.2.1944, në batallonin e Kurveleshit. U vendos më pas në Brigadën e XVI-të, ku shkoi deri komisar kompanie. Këtë “karrierë”, e mbylli më 9.5.1945. Në vitet 1945-1947, ishte oficer në Batalionin e I-rë të Brigadës së I-rë, të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në Peshkopi dhe në Shkodër. Në vitin 1947, ishte shef i policisë së Skraparit. Në organet e Punëve të Brendshme, shërbeu në vitet 1945-1955.
Prej këtu, më 25.9.1947, emërohet përgjegjës i kampit të internimit të Beratit. Më 9.5.1949, zhvendoset me të njëjtën detyrë, në kampin e Tepelenës, duke qëndruar aty deri më 15.2.1952. Në karakteristikën e datës 2.12.1951, të shefit të seksionit të Punëve të Brendshme të Tepelenës, Gani Aloçi, thuhej se: “Xhaferi është besnik, e urren armikun”.
Pogaçe e përfundoi karrierën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si zëvendëskomandant i Shkollës së Instruksionit dhe Stërvitjes së Qenve, në nëntor 1955.
Në maj të këtij viti, në Tiranë, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, erdhi raporti i qeverisë amerikane, për kampet e burgjet e Shqipërisë, i cili u paraqit në OKB më 29.3.1955. Nuk dihet me saktësi, në kishte apo jo lidhje, nxjerrja në lirim e komandantit të kampit të Tepelenës, nga përmendja e emrit të tij në këtë raport të qeverisë amerikane, ku përmendej; “aktiviteti negativ dhe imoral i komandantit të kampit të Tepelenës”!
Pas Xhafer Pogaçes, komandanti i dytë dhe i fundit i kampit të Tepelenës, ishte Haki Ibrahimaj, lindur në Dhëmblan të Tepelenës, në vitin 1924. Edhe ky doli partizan vitin e fundit të luftës, pikërisht më 5.4.1944, në batalionin “Perlat Rexhepi” në Shkodër, e më pas në Brigadën e XXII-të, partizane, e cila u formua më 30 nëntor të vitit 1944, një ditë pasi kishte mbaruar lufta. Profesioni i jetës, ishte ai i marangozit. Karriera deri në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore, sipas viteve, ishte kjo:
1934-1939, bari dhensh në Martalloz të Tepelenës.
1939-1940, shërbëtor në Kakos të Gjirokastrës.
1940 (janar-shkurt), shegert në restorantin e Veip Runës në Vlorë.
1940-1944, marangoz në zdrukthëtarinë e Xhemal Kasmit në Shkodër.
Deri këtë kohë të dhënat dëshmojnë, se i përmenduri nuk kishte kurrfarë arsimi.
Pas majit 1945, ai kaloi nga partizan, në forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në radhët e Policisë Popullore, si dhe hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në vitet 1951-1952, ishte kursant në shkollën e Policisë, ku mësoi shkrim e këndim, si dhe disa parime elementare të punës policore.
Nga data 15.3.1952, deri më 15.9.1953, ishte komandant i kampit të internimit (i rrethuar me tela me gjemba) të Tepelenës. Në vitet 1953-1964, shërbeu në detyra të ndryshme të Policisë Popullore, në Shkodër, Elbasan e Skrapar. U nxor në lirim më 30.5.1964, për “shpërdorim të pozitës zyrtare, me qëllim përvetësimin e 5.500 lekëve”.
Megjithëse me këtë shkollim, karriera ushtarake, nga rreshter në vitin 1945, e çoi në major në vitin 1962. Kur shërbente në kampin e Tepelenës, ishte me gradën toger. Memorie.al
Nga Kastriot Dervishi