Historia e panjohur e ndeshjes së 15 majit 1951/ “Edhe pse në fushë u futën titullarët e Komitetit të Partisë duke e kërcënuar, Xhelal Juka, s’pranonte të dilte nga loja, pasi…”

Nga Namik Mehmeti

Dëshmia e rrallë: “Juka u tha; unë dal, vetëm po të më thotë kapiteni, por, Prek Gjeloshi, edhe pse komunist, i tha; mos dil Xhelal, ashtu siç bërtiste i gjithë stadiumi”!

Nga” skandalet” që etiketojë diktatura komuniste në qytetin e Shkodrës, si një kundërvënie ndaj regjimit të Partisë së Punës, me në krye xhelatin Enver Hoxha, kanë burimin edhe tek sporti e, pikërisht tek futbolli, ku emri “Vllaznia”, ishte aq reaksionar, sa vete qyteti verior, emër që prezantonte  një histori të vyer, më shumë se një shekull, me ekzakt 105 vite histori. Dhe nuk është kjo një njollë e vetme që diktatura komuniste e akuzonte “Vllazninë”, futbollistët e sportdashësit shkodranë, për shfaqje që sipas tyre, i binin ndesh ideologjisë komuniste.

Në këtë dossier, po e njohim lexuesin me këto “shfaqje të huaja” që gjithnjë e janë provokuar nga ekipet e “Dinamos” e cila përfaqësonte Ministrinë e Brendshme dhe më pak me “Partizanin”, që luante në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Ngjarja që ka ndodhur në fushën e vjetër të futbollit, aty ky do fillonte dhe emërtimi i ri i kësaj zone, “Zona Industriale”, pra më shumë se shtatë dekada më parë, në vitin 1951, ku “Vllaznia” luante përballë “Dinamos” së Ministrisë së Punëve të Brendshme, më saktësisht më 15 maj të atij viti.

Duhet të kujtojmë se “Vllaznia” pas fitoreve të dy titujve kampion, më 1946 dhe 1947, do të vazhdonte të pretendonte për të ruajtur titullin kampion, por dy kundërshtarët e saj, nuk do të ishin më “Puna” e Tiranës apo, “Puna” e Kavajës, por pikërisht dy “çadrat e mëdha”, siç i pat etiketue “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Xhevdet Shaqiri, ekipet “Partizani” e “Dinamo”. E për më tepër këto dy ekipe, do të fillonin të bënin historinë në futbollin shqiptar, që nga dita e krijimit, duke patur që në themel, futbollistë të “Vllaznisë”.

“Partizani” në vitin 1948, do të niste debutimin duke patur 6 futbollistë të Vllaznisë (L. Laçja, L. Hoxha, P. Gjeloshi, B. Kavaja, H. Bakalli, A. Tepelija), kurse “Dinamo”, e krijuar në vitin 1950, do kishte; Xh. Shaqirin, H. Bakallin e Q. Cungun. Le të kthehemi tek ajo ndeshje, e cila kaloi caqet e komenteve të futbollit, duke marrë ngjyra politike. Ja dhe skeda e dy ekipeve, e marrë nga libri i gazetarit historian, Besnik Dizdari, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”. (Libri 4, vitet 1950-1954)

“Puna” e Shkodrës: Nuti, Cufja, Bushati, Çuçiqi (Dani), Gjeloshi, Keri, Nehani, Laçja, Juka, Boletini, Dedja. “Dinamo” e Ministria e Punëve të Brendshme: Metani (Vogli), Boriçi, Sherko, Vila, Q. Cungu, Shaqiri, Bakalli, Gjinali Jareci, Peqini, Tamfizi.

Gjyqtar E. Dauti.

Golat: Tamfizi 12′, Deda 62′

Kam patur fatin e madh, që me protagonistin e këtij dossieri, të ndjerin Xhelal Juka, të njihem familjarisht, pasi shtëpia e jonë në lagjen “Parrucë”, (sot Bulevardi “ZOG I-rë”), ndahej me shtëpinë e Jukejve, me një mur dhe për më tepër, kur baba im, Et’hem Rrema Mehmeti, u afrua nga kryeministri e Ministri i Brendshëm në vitet e Monarkisë Zogiste, Musa Juka, në administratën zogiste, si nëpunës, me detyra të ndryshme nga kryetar komune, nënprefekt e prefekt, duke shërbyer nga Vermoshi, deri në Jergucat të Gjirokastrës.

Dhe për këtë qeveria komuniste porsa hyri në Tirane, e arrestoi dhe dënoi me 10 vite burg, me akuzën si “zogistë, antikomunist dhe mik i familjes Juka”.

Po kështu baba kishte kalue disa vite burgu me vëllain e Xhelalit, Nuh Jukën dhe unë kur fillova detyrën si gazetar.
E kjo njohje më afroi aq shumë me Xhelalin, që në bangot e shkollës së mesme e, deri në ditët që ai u nda nga jeta, duke më ushqye më shumë histori e episode të karrierës së tij sportive, si futbollist i trajner i “Vllaznisë”.

Dhe episodin e këtij dossieri, e kam pas ruajtur ne shënimet e kronikave futbollistike, e kam dëgjuar edhe nga bisedat me kushërinjtë e mi; Shefqet e Tahir Puka, të njohur në historinë e sportit shqiptar, si futbollistë, atletë e gjyqtarë të futbollit, nga veteranët e nderuar të futbollit shkodran, si; Muhamet Halili, Ibrahim e Feti Dizdari, Ahmet Ashikja, nga gazetari i mirënjohur Rifat Uruçi dhe nga sportdashës të “Vllaznisë”, të cilët e kanë përjetuar këtë ngjarje.

Atëherë edhe ne ndiqnim “Vllazninë” duke hyrë ne fushën e vjetër, me mbështetjen e një sportdashësi, që na merrnin përdorë plot mirësi e zinim vend, pas portës së portierit kundërshtar.

E në atë moshë 10 vjeçare, diçka kujtonim me kalimin e viteve, se protagonisti i këtij dossieri Xhelal Juka, së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe drejtuesit e sportit në Shkodër, do të shkruante një histori të padëshirueshme për sportin socialist, e mbi të gjitha për rendin diktatorial.

Dy skuadrat që nuk gëzonin simpatinë e mbështetjen e qytetarëve shkodran, “Dinamo” e, më pak “Partizani”, gjithnjë në përballjet e tyre në Shkodër, do të ishin jo vetëm në nivel lartë futbolli, por edhe me incidente që provokoheshin, nga gjykime të njëanshëm të gjyqtarëve të futbollit, kryesisht që zgjidheshin nga Tirana.

Kështu ndodhi dhe në 15 Majin e vitit 1951, pra 73 vite më parë.

Ajo që i irritonte sportdashësit shkodranë në ndeshje të tilla, ishte edhe angazhimi i shumë forcave policore dhe atyre të Sigurimit të Shtetit, pasi dihej pozicionimi i kryeqendrës së Veriut, si qytet antikomunist. Ndeshja fillon shpjet në kërkim të golit, ku më parë i gëzohen dinamovitët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi Tamfizi, tund rrjetën e portierit Nuti, në minutën e 12′.

Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Gjyqtari i takimit E. Dauti, me dashje apo për paaftësi, lëkundet në dhënien e vendimeve të tij, si në rastin më flagrant të një pozicioni jashtë loje, të sulmuesit dinamovit, Sabri Peqini, ku vijërojtësi nuk sinjalizoi.

Kjo bëri që skuadra të reagojë e protagonist bëhet Xhelal Juka.

Për këtë padrejtësi të gjyqtarit, reagimi i Jukës “prishi” atmosferën e ndeshjes dhe dënohet me përjashtim të tij nga fusha. Juka nuk pranon të zbatoj vendimin e gjyqtarit Dauti dhe për më shumë se 15 minuta, ndeshja ndërpritet dhe dialogu me gjyqtarin Dauti, përshkallëzohet.

Tashmë janë sportdashësit ato që reagojnë në mbështetje të Jukës dhe të “Vllaznisë” (asokohe “Puna” e Shkodrës). Ndeshja ndërpritet për afro 15 minuta dhe dialogu në mes gjyqtarit të ndeshjes e futbollistit Juka, zhvendoset edhe me futbollistët e tjerë shkodranë.

I takonte kapitenit të skuadrës, Prek Gjeloshi, një futbollist i cili ka bërë sakrifica për të përfaqësuar ekipin e qytetit, duke ardhur në stërvitje në këmbë, nga Fabrika e Çimentos, (fshati Zues), kishte fituar besimin e shokëve, duke qenë shpirti i skuadrës.

Pritej që Preka të bindte shokun e tij, të zbatonte vendimin e gjyqtarit. Po kështu nga Preka, besonin drejtuesit e Degës së Punëve Brendshme dhe ato të organeve të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës e të pushtetit, se situata do të qetësohej.

Në fushë kishte zbritur zv/kryetari i Degës së Brendshme, sekretari i dytë i Komitetit Partisë Rasim Tahiri, drejtuesi e sportit shkodran, Isa Miloti, kuptohet të gjithë këto me triskën anëtarësisë së Partisë Punës në xhep, ku një skandal i pritshëm, që mund të merrte përmasa të një revolte, atyre do t’i kushtonte shtrenjtë.

Sportdashësit shkodranë, sidomos ato të vetmes tribunë në fushë, në një kor vazhdonin të thërrisnin; “Juka – Juka”. Ky emër e bënte edhe më shqetësuese ngjarjen, pasi Xhelal Juka, ishte nipi i ish Kryeministrit e ish Ministrit të Brendshëm e njiherit ish – Kryetar i Bashkisë në Shkodër, në vitet e Monarkisë së Zogut, Musa Jukës.

Situata, edhe pse u afruan forca shtesë policore, nuk e ndali protestën të kthehej në një revoltë, edhe pse në fushë ka zbritur i pari i Komitetit të Partisë, Tonin Jakova.

Një nga autoritetet lokale, i drejtohet Xhelalit: “Duhet të dalësh nga fusha, pasi situata për shkakun tënd, po kalon përmasat e një ndeshje sportive. Ndryshe do të mbani mbi shpatulla një akuzë të rëndë, aq më tepër se dihet biografia e familjes tënde”.

Xhelali përgjigjet: “Si të urdhërojë kapiteni i skuadrës, Prek Gjeloshi”. Preka, ndonëse komunist, me një gjakftohtësi dhe për të mbrojtur shokun e tij, ashtu dhe për të qenë në një kor me tifozët dhe padrejtësinë që i behej ekipit, i përgjigjet: “Mos dil Xhelal”!

Kjo përgjigje erdhi edhe nga sinjali që dha, (duke tundur gishtin) sekretari i Komitetit të Partisë, Rasim Tahiri, një qytetar shkodran, që “Vllazninë”, deri në ditët e fundit të jetës së tij, e kishte pikë të dobët dhe në zemër, por që gëzonte edhe respektin e qytetarëve shkodran.

Po kështu një tjetër kuadër, me triskën e Partisë së Punës në xhep, qytetari i një familje të njohur shkodrane, Isa Miloti, u bë palë me protestuesit. Ushtoi thirrja nga katër anët e fushës së futbollit: “Mos u dorëzo Rasim Tahiri, mos nigjo Rasim Tahiri”

Një krisje revolveri në ajër, nga forcat e policisë, që ishin shtuar në numër, ngriu thirrjet e sportdashësve dhe pas asaj qetësie, futbollistët shkodranë, u rikthyen në lojë, kur Juka kishte marrë drejtimin nga dhomat e zhveshjes, duke u duartrokitur nga tifozët.

Ndonëse me 10 futbolliste, “Puna” e Shkodrës, nuk i zhgënjeu sportdashësit e saj dhe arriti të barazojë rezultatin. Goli i sulmuesit, Simon Deda, të cilin “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, kishte vënë në listën e “rekrutuarve”, realizuar në minutën e 56, solli në mes asaj mjegullnaje, një qetësim për momentin të situatës.

Pas përfundimit të ndeshjes, turma e sportdashësve shkodranë, priste daljen e futbollistëve, të cilët i shoqëruan në këmbë, deri tek zemra e qytetit, ‘Kafja e Madhe’. Dhe kori; “Juka, Juka” do të ishte “simfoni” që zgjoi më tej kureshtjen e familjeve shkodrane, duke u dalë nëpër dritaret e shtëpive të tyre. Ndërsa ekipi i “Dinamos” dhe treshja e gjyqtarëve kryeqytetas, u shoqëruan nga forcat e rendit, deri në dalje të Urës së Bahçallëkut.

Por ndeshja ndonëse kishte lënë pas shijet e pakënaqësisë, ajo do të kishte një vazhdimësi në zyrat e Komitetit Partisë së rrethit, atij ekzekutiv dhe të Degës së Punëve të Brendshme. Pa arritur në Federatën e Futbollit relacioni i gjyqtarit, filloi “prerja e kokave”, më parë të kuadrove që ishin protagonistët, në atë arenë që u quajt antisportive.

Rasim Tahiri, përjashtim nga partia dhe pesë vite internim, po kështu Isa Miloti, (axha i ish-futbollistit dhe trajnerit të njohur Auron Miloti), dorëzim i triskës partisë dhe zbritje në detyrë, Xhelal Jukën e Prenk Gjeloshin, me dy ndeshje pezullim nga kampionati. Kam patur rastin ta kujtoj e rikujtoj këtë ngjarje, që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar e atij shkodranë, me shumë nga futbollistët.

Dhe Xhelal Juka kujtonte: “Ishte disi befasues dënimi i ‘rezervuar’ i imi dhe Prekës, në krahasim me kuadrot drejtuese. Por më shumë ishte dënimi moral që ju bë ‘Vllaznisë’, në mbledhjet e kolektivave e ndërmarrjeve shtetërore, në kooperativat bujqësore, ku instruktorë të Komitetit Partisë e të pushtetit lokal, ishin shpërndarë nga Vermoshi deri në Bisht të Jubës, (kufiri me rrethin e Lezhës), duke dënuar këtë shfaqje antisportive, që njolloste sportin shqiptar.

U porositem që këtë skenë, të mos i jepnin vazhdimësi në bisedat me sportdashësit, bile as në familjet tona. Unë i shmangesha takimeve në Kafen e Madhe e, ambiente të tjera publike, dhe për këtë isha i porositur nga njerëz të veshur me pushtet. Dhe ajo që më rëndonte më shumë, ishte mbiemri Juka, mbiemër ky që më kërcënonte por, edhe paralajmëronte për të pa pritura.

Por ndarja nga futbolli, nuk erdhi vetëm nga biografia, por nga një aksident në një ndeshje me Tiranën, në dyluftim me portierin Bonati, grushtimi i tij, nuk arriti në drejtim të topit, por drejtë nofullave të mia, një frakturë që më detyrojë për disa javë, të ushqehesha me lëngje.

Por të keqen mundoheshin të ma largonin tifozët shkodranë, që më vizitonin kohë pa kohe, në pavijonin e kirurgjisë. Trajtimi në sallën e operacionit nga mjeku kirurg, i mirënjohuri Doktor Mborja, ishte perfekt, por pa shpresë se do të veshja këpucët e futbollit, që i vara në gozhdë, në moshën 27 vjeçare”.

NJË HISTORI KARRIERE E FUTBOLLISTIT XHELAL JUKA

Xhelal Juka, (lindi me 5 prill 1926 dhe vdiq më 7 shkurt 2012), një pinjoll i një dinastie, që shkroi emrin në historinë e qytetit verior, për nga vlerat e atdhedashurisë, patriotizmit, simbol i bashkëjetesës fetare, i adhurimit të kulturës perëndimore, i përkushtimit për ta bërë kryeqendrën e Veriut, një qendër me vlera tregtare.

Nga Fisi Juka, përveç Musa Jukës, me kalimin e viteve, ishin të tjerë pinjoll që shkruan historinë, jo vetëm në Shkodër e në gjithë Shqipërinë, por edhe përtej Adriatikut, si në; Itali, Francë, Amerikë, Kanada, etj, si motrat Safete e Lumi Juka, Qemal Juka, Zyber Juka, Galip Juka etj., ku të gjithë me Xhelalin dhe me trashigimtarët e tyre ndjenë, luftën klasore, vuajtjet në burgjet e diktaturës komuniste dhe në internime.

Dhe në sa protagonisti i këtij shkrimi dossier, Xhelali, duke qenë i pasionuar pas futbollit, i besoj këtij sporti, për të mbajtur të gjallë vlerat e fisit Juka.

Ai rreshtohet me “Vllazninë” që në moshën 17 vjeçare dhe për krah legjendave më në zë të “Vllaznisë”, Xhelali, duke qenë i lindur për futbollin, preferoi që në përfaqësimin e parë me ekipin kundër “Tiranës”, rolin e sulmuesit, duke mbajtur në shpinë nr. 9. U prezantua si një talent më të dhëna teknike të përsosura, por dhe me një shpirt gare, sakrifice e frymëzimi për ekipin “Vllaznia”, në gjirin e të cilës, luajti deri në vitin 1953, i padiskutueshëm në formacionin e “Vllaznisë”, në fitoren e dy titujve të Kampionatit Kombëtar, 1945 dhe 1946.

Xhelali ishte problem për çdo mbrojtje kundërshtare, pasi ai kishte aftësinë e dublimit, të zgjidhjes me shumë finesë të situatave të vështira para portës, duke befasuar si mbrojtësit e portierët. Në sezonin futbollistik, 1953-’54, u afrua tek “Partizani”, ku fitoi Kupën e Shqipërisë, por u largue për arsye shëndetësore, por pa i mohuar edhe anën e biografisë.

Në vitet 1959-1972, i afrohet roli i trajnerit të ekipit të rinjve të “Vllaznisë”, ndonëse pa kryer një shkollë përkatëse, sfidon kolegët e tij, në gjithë Shqipërinë, pasi me intuitën dhe punën e palodhur, por të pa shpërblyer, i falë ekipit të “Vllaznisë”, një brez futbollistësh që do të sillnin rifreskimin e një “Vllaznie”, të mpakur e pa aftësi, për të mbajtur të gjallë traditën e futbollit shkodran, por dhe për të përmbysur nga froni, ekipet “Dinamos” e “Partizanit”.

Emrat e Selami Danit, Esat Rakiqit, Ramazan Rragamit, Sabah Bizit, Din Zhegës, Paulin Ndojës, Ismet Hoxhës, Çesk Ndojës, Halil Pukës, Suat Durajt, Millan Vasos, etj., do të jenë përcaktues në fitoren e dy titujve të Kampionit Kombëtar; 1971 – ‘72, dhe 1973-‘74 dhe të Kupës e Shqipërisë’ në vitin 1972.

Dhe shpërblimi i punës së tij, do të jetë i dyfishtë’ pasi tek “Vllaznia”, i është besuar roli i trajnerit të dytë, kjo preferencë edhe “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, legjendës Xhevdet Shaqiri, në rolin e trajnerit të “Vllaznisë”.

Kolegët e Jukës, me të cilët kam patur rastin të shkruaj e të i intervistojë, si; Rifat Rusi, Skënder Jareci, Xhavit Demneri, Ernest Halepiani, Zyhdi Bakalli; etj., atë përmbysje që i afroi “Vllaznia” futbollit shqiptar, ishte pa dyshim edhe kontributi i çmuar i Xhelal Jukës. Të këtij mendimi, mund ishin edhe drejtuesit e organeve të partisë e të pushtetit në Shkodër, por që nuk i dhanë meritat e mirënjohjen, që i takonte.

Dhe pas këtyre sukseseve me “Vllazninë” si trajner, nuk do të befasohej edhe me vendimin absurd, që në emër të luftës klasore, të mos ulej në bankinën e “Vllaznisë”. Nuk ishin vetëm trofetë e dy titujve kampion kombëtar e, të Kupës së Shqipërisë, por Xhelali me “Vllazninë” fitoi dhe Kupën e Gazetës “Bashkimi”, ku sfidoi skuadrat e kryeqytetit dhe do të ishte edhe gazetari i “Zërit të Popullit”, Cani, që do të vlerësonte trajnerin Juka, për këtë sukses.

Por këto elozhe shuheshin shpejtë dhe nuk harrohej që t’i hidhej baltë punës e karrierës e tij, pasi vihej përballë mbiemri Juka, që shqetësonte drejtuesit e organeve partiake të diktaturës komuniste. As që bëhej fjalë për të shpërblyer djersën e sakrificat e tij, duke i dhënë mundësinë për të luajtur një ndeshje ndërkombëtare, jo më larg se Mali i Zi, ku “Vllaznia” shkëmbente takime miqësore, por edhe kur veteranët e “Vllaznisë” luanin në Podgoricë, emri i Xhelal Jukës, nuk ishte i preferuar nga Komiteti i Partisë që përpilonte listat, duke preferuar më shumë funksionarë, se vetë futbollistët.

Një mjeshtër sporti i lindur, por pa ia dhënë këtë titull, me një çertifikatë nga Federata Shqiptare e Futbollit, Xhelalit nuk i bënte përshtypje. Gazetari i mirënjohur, kolegu im, Besnik Dizdari, i pranishëm në një festim të 60 vjetorit të krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kishte mbetur i befasuar, edhe pse Xhelali ishte ftuar në këtë përkujtimore, emri i tij, nuk u lexue nga titullari i Federatës së Futbollit.

Dhe reagimin e “Mjeshtrit të Merituar”, Muhamet Vila dhe të shokëve të Xhelalit, për këtë neglizhencë me qëllim apo edhe në një moment harrese nga Federata, gazetari Dizdari, e shpreh me nota nostalgjie e mirënjohje, për këtë gjest miqësor të shfaqur në një takim solemn, të futbollit shqiptar.

“Dashuria fillon në shtëpinë tënde dhe drejtësia në shtëpinë e fqinjit”. Se si mu kujtua kjo sentencë e Çarl Dikens, dhe pata përshtypjen që Vilës e, dikujt aty afër, iu thye gëzimi i madh, sepse donin që edhe shoku i tyre, dikur kundërshtar në fushën e blertë, meritonte shumë më tepër.

Aq më tepër në rastin e Jukës, pionierit të Kombëtares së Shqipërisë, qysh në moshën 19 vjeçare, futbollist i sakrificës së jashtëzakonshme, sulmues i papërmbajtshëm në kohën e vetë, lojtar jo vetëm i “Vllaznisë”, por edhe trajneri aq i talentuar i saj, do të thoja, e njeriu me jetë aq të pastër, brenda e jashtë fushës se blertë…”!

Dhe më se e vërtetë kjo, se emri i Xhelalit kishte hyrë në zemrat e familjeve shkodrane, në zemrat e kolektivit punonjës të Parkut Automobilistik të Shkodrës, ku Xhelalit i ishte afruar një punë normisti, pasi dëshira e tij, për të ndjekur një shkollë të lartë dhe për të punuar si mësues i Edukimit Fizik, i ishte mohuar kategorikisht.

Mund të radhisim disa fakte e statistika nga biografia e tij sportive, por veçojmë ndeshjen e parë ndërkombëtare të Shqipërisë me Malin e Zi, e luajtur në Shkodër, 78 vjet më parë, më 22 shtator 1946.

Trajneri jugosllav, L. Broçiç, që i ishte besuar përgatitja e Kombëtares Shqiptare, për Lojërat Ballkanik të atij viti në Tiranë, më shumë se gjysma e ekipit, plot 6 futbollistë të “Vllaznisë”, ishin në formacion e saj, pikërisht nga mbrojtja në sulm; Muhamet Dibra, Prek Gjeloshi, Bimo Fakja, Xhelal Juka, Loro Boriçi dhe Pal Mirashi.

Siç dihet Shqipëria fitoi 5-0, ku Juka shënoi dy gola në 60′ e 62′. Por kalvari i pengjeve të tij (siç thoshte ai vetë), filloi me këtë kombëtare, ku ndonëse ishte i shpallur në listën e Broçiçit për Ballkaniadën, nuk u rrjeshtue në ekip.

Por edhe një peng i imi, ishte se kur komentoja në gazetën “Sporti Popullor” ndeshjet e “Vllaznisë” në stadiumin “Vojo Kushi”, (sot “Loro Boriçi”), intervistat pas ndeshjes me Xhelal Jukën, emrin i Xhelalit retushohej. Memorie.al

FIRENZE 7.O5.2024

Exit mobile version