Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që SPAK të nisë hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.
GJKKO rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit që kërkonte pushimin e procedimit penal të nisur në vitin 2017 për Roshin lidhur me një kallëzim të bërë nga KLSH në vitin 2015 për shpërdorim detyre.
KLSH e kallëzoi ish-kryebashkiakuan e Kavajës dhe 10 zyrtarë të tjerë në atë kohë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera në lidhje me disa investime publike, duke i shkaktuar dëm shtetit në vlerën 220 mijë Euro.
Por në fakt emri i Elvis Roshit u bë më së shumti i njohur më 8 maj 2011, pasi ai mori shumicën e votave të kavajasve duke rrëzuar për herë të parë këtë bastion të PD-së.
Pa u mbushur ende një muaj nga zgjedhjet e 8 majit, një histori e çuditshme përfshiu familjen e tij.
Ish-gruaja e Roshit deklaroi se ishte rrëmbyer nga disa persona dhe ishte detyruar të abortonte.
Më 1 qershor 2011 rreth orës 10:00-11:00, Griselda Zaimi u paraqit në Policinë e Tiranës së bashku me Sajmir Roshin, i identifikuar në polici si kunati i 28-vjeçares.
Aty Griselda rrëfeu 7 orët e saj të tmerrit duke treguar me detaje se një natë më parë, më 31 maj 2011, rreth orës 19:00 ishte rrëmbyer nga disa persona në një makinë me xhama të zinj.
Më pas po këta persona e kishin rrahur dhe e kishin çuar në një ambient ku ajo kishte lindur fëmijën dhe ia kishin marrë.
Pasi e kishin rrahur Griselda pretendoi se pas kësaj autorët e krimit e kishin hedhur në një kanal pranë banesës së bashkëshortit të saj.
Madje asokohe anëtari i Asamblesë së PS-së, Erion Veliaj, e denoncoi publikisht rastin, duke iu dërguar edhe një letër ambasadorëve lidhur me ngjarjen.
Por brenda 24 orëve ajo që nisi si një rrëmbim, përfundoi, i zbardhur nga Policia, si një skenar i sajuar nga vetë ish-gruaja e Elvis Roshit, Griselda Zaimi.
Dy vjet më vonë ai u kandidua sërish nga Edi Rama për kryetar të Bashkisë së Kavajës.
Por këtë herë u vu në qendër të kritikave të opozitës, si njeri i dënuar më parë në vende të tjera për trafik droge, ndërkohë që në Shqipëri rezultonte i dënuar për plagosje.
Pesë identitetet e Roshit
Autoritetet zvicerane zbardhen detaje nga e shkuara e Elvis Rroshit në përgjigjet dërguar prokurorisë shqiptare.
Sipas përgjigjes së dërguar nga autoritetet zvicerane, shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 03.12.1975 në Kavajë, i biri i Azem dhe Nasije, është njohur me këta emra: Ervin Rroshi, datëlindja 03.12.1975, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli dhe Enver Rroshi, i datëlindjes 03.12. 1975, si edhe Enver Proshi, me datëlindje 03.12.1975.
“Më datë 14 maj 1993, ai është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge, duke qenë se ky rast ka më shumë se 20 vjet, Policia e Zyrihut nuk ka mundur të sigurojë më shumë detaje, por duke marrë parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj më vonë, ndoshta nuk ka qenë një rast për trafik droge, por vetëm konsumim i lëndës narkotike”, kanë informuar autoritetet zvicerane prokurorinë shqiptare.
Në vitin 2016 i vënë në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij, të shtuara dhe pas publikimit të formularit të dekriminalizimit, Rroshi, i cili në dy zgjedhje me radhë u dha fitoren socialistëve në një qytet të konsideruar bastion i së djathtës, njoftoi dorëheqjen.
Dy vite më vonë u dënua.
Në korrik të vitit 2018, Gjykata e Tiranës shpalli fajtor ish-kryebashkiakun e Kavajës, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Rroshi u dënua me burg, por ai nuk ka shkuar asnjë ditë në qeli, pasi gjykata konvertoi dënimin në 60 orë punë në interes të publikut.
Më 19 janar 2023 ish-kryebashkaku i Kavajës, u paraqit në SPAK, pas një fletë-thirrje nga Byroja Kombëtare e Hetimit.