Historiani i zbulon të kaluarën Xhufit: Si luftoi babai yt përkrah Titos kundër elementit nacionalist në Kosovë

Nga Kastriot DERVISHI

Për të ardhur keq që shokët e një ndërmarrje agjitpropi komunist, Auron Tare, Pëllumb Xhufi, etj, kanë vënë në mënyrë diletante këto ditë të më përmendin në komentet apo postimete tyre të mjera. Madje për këtë sajojnë edhe emisione të kota pa asnjë bosht e rend të duhur. Po ua them hapur se as më nevojitet dhe as më hyjnë në punë vlerësimet nga njerëz që adhurojnë kriminelë të njerëzimit. E kundërta do më bënte të më vriste ndërgjegjja.
Historian bëhesh me punë dhe vepra dhe nuk emërohesh nga partia. Mbase këta janë mësuar të emërojnë historianë. Punë e tyre. Unë mendoj se Xhufi ndikohet fort nga origjina e tij, e cila e ka kthyer në agjitator dhe avokat të çdo krimi të komunizmit në Shqipëri. Xhufi që dikur rrezatonte lumturi kur fotografohej në krah të Enver Hoxhës, që përzgjidhej si përkthyes special për familjen Popa në ambasadën italiane, apo qëndronte i mrekulluar si përkthyes i Ramiz Alisë (mbajti edhe fjalimin në varrimin e tij), nuk është personi që mund t’i besosh për ato që thotë.
Dy fjalë për kampin e Tepelenës. Xhufi i kënaqur për dërrmën që iu dha partia “armiqve të popullit” (gra, pleq dhe fëmijë) aludoi krejt kot se kampi është hapur në vitin 1949 për familjarët e të arratisurve në Jugosllavi. Nuk e di nëse këtë e ka dëgjuar nga ndonjë polic i kampit nga Progonati nga rrëfime familjare.
Në të vërtetë, të internuarit e Tepelenës janë internuar si antikomunistë e antijugosllavë qysh në vitin 1945 fillimisht në Berat e më pas të zhvendosur në Tepelenë. Në vitet e para pas lufte, elementi nacionalist nuk mund të arratisej në Jugosllavi pasi ishte një regjim i përbashkët, si këtu e atje.

Dhe pikërisht në kohën kur babai i Pëllumbit, Muharem Xhufaj ishte drejtues komunist i brigadës së 5-të dhe luftonte kundër shqiptarëve në Kosovë (nuk kishte asnjë nazist në këtë kohë atje). Tani Muharremi me yll të kuq në ballë që luftonte krah për krah brigadave të shokut Tito kundër elementit nacionalist në Kosovë çfarë i bie që të jetë?
Ta sqaroj edhe punën e “dokumentit të CIA-s” që Xhufi nuk di as ta kuptojë dhe as ta interpretojë. Në vitet 1949-1953, në kuadër të armiqësimit me Stalinin, Tito tuboi emigrantët shqiptarë që ndodheshin në Jugosllavi. Këta nuk arritën të bëjnë kurrgjë, pasi pas vitit 1953, politika e Hrushovit me Titon erdhi drejt pajtimit. Të njëjtën gjë bëri edhe Enver Hoxha me emigrantët jugosllavë në Shqipëri, por edhe ai, pas vdekjes së Stalinit nuk bëri gjë me to. Pikërisht këto dy lloj lëvizjesh të kota e pa kurrfarë peshe të Titos dhe Enverit, vlerësohen prej Xhufit sikur të ishin lëvizje të mëdha. Pas vitit 1953 Tito dhe Enveri u “pajtuan” midis tyre, etj (histori e gjatë, që nuk lidhet me kampin e Tepelenës).
Xhufi që ka studiuar mirë mesjetën, në të vërtetë mbron mesjetën më të veçantë të historisë së Shqipërisë, komunizmin.Unë kam bindjen se një njeri që ka origjinën e mëposhtme nuk mund të jetë kurrë objektiv e të dënojë krimet e komunizmit:
-Babanë sekretar në komitet partie
-Nënën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit
-Motrën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit
-Dajën prokuror
-Burrin e tezes kryetar dege në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit

Exit mobile version