Hitzfeld: Zvicra fiton 2-0 me Shqipërinë

Ish-trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitcfeld e njeh mirë Shqipërinë. 67-vjeçari gjerman e ka drejtuar përfaqësuesen helvete nga 2008 deri më 2014-ën dhe në eliminatoret e Botërorit Brazil 2014 ka patur rastin të përballet dy herë me kuqezinjtë, të cilët i ka mundur 2-0 në Zvicër dhe 1-2 në “Qemal Stafa”. Opinioni i tij është gjithmonë i rëndësishëm, kur i referohet kombëtares së Zvicrës, sidomos në prag të Europianit.
Edhe Hitcfeld e ka të qartë se, ndeshja Shqipëri-Zvicër do të jetë shumë e veçantë edhe emocionuese për shkak të ndërthurjeje të rrethanave. Në kombëtaren e Zvicrës, gjysma e lojtarëve të formacionit titullar ka origjinë shqiptare, ndërsa te Shqipëria shumë nga titullarët janë formuar pikërisht në futbollin helvet. “Ndaj Shqipërisë do të jetë një sfidë e mbushur me emocione, por gjatë lojës futbollistët duhet të bëjnë gjithçka për të mos i shfaqur këto emocione dhe kjo është detyrë e trajnerit. Taktika do të jetë shumë e rëndësishme, ndaj pikërisht në këtë aspekt duhet patur shumë kujdes”, u shpreh Hitzfeld.
Megjithatë, kur i kërkohet me ngulm që të japë parashikimin e tij gjermani nuk ngurron të thotë se ndeshjen do ta fitojë Zvicra. “Secili duhet të japë maksimumin në fushë. Mendoj se, Zvicra do ta mposhtë 2-0 Shqipërinë dhe më pas do të jetë e papërmbajtshme. Sigurisht, nëse do të isha akoma trajner i Zvicrës, nuk do t’u drejtohesha me këto fjalë futbollistëve”, tha ai.
Në kushtet aktuale, Hitclfeld ka luksin edhe të bëjë humor, por ai dhe analistët e shumtë zvicerane e pranojnë se, Shqipëria mund t’u hapë shumë probleme, ndaj kërkohet që helvetët të kenë një përqasje të zgjuar dhe pa emocione në fushën e blertë për ta nisur me këmbë të mbarë europianin.

Exit mobile version