Holanda: Dënoni krimet e korrupsionin e zyrtarëve të lartë pastaj flasim për Negociatat

Holanda është një nga vendet skeptike për çeljen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë, dhe për këtë ka dërguar një mision faktmbledhës në vend.
Grupi i deputetëve holandezë është takuar me kryeministrin Edi Rama, kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Duke folur për mediat ata thanë se Shqipëria nuk është gati, pasi problem është ende mosndëshkimi i zyrtarëve. “Shqiptarët janë problematik në Holandë”, kanë thënë ata duke shtuar se janë duke mbledhur informacion dhe nuk ka vendim përfundimtar të Holandës.
Deputetët kanë theksuar se janë skeptikë për negociatat me Shqipërinë dhe se do të jetë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për Gjermaninë dhe Francën që të pranojnë Shqipërinë.
Pas deputetëve gjermanë, duket se dhe Holanda po kundërshton progres-raportin e KE-së që i rekomandon vendeve anëtare hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Tetë deputetë holandezë, që nisën sot një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim vlerësimin e reformave, u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave, pavarësisht progres-raportit pozitiv të KE-së.
Plotësimi i 5 kushteve të vëna zyrtarisht nga institucionet evropiane nuk mjafton për hapjen e negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së shpjeguan deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze. Ata thanë se Shqipëria duhet të trgojë se ka vendoshmërinë e duhur për të dënuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin.
Po ashtu ato theksuan se rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë është shqetësuese dhe nuk ndihmon aspak në procesin e integrimit evropian.
Në fund të vizitës, deputetët do të hartojnë një raport për kuvendin holandez, në bazë të së cilit kuvendi do të votojë pro ose kundër propozimit të KE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në
Deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze takuan sot Kryeministrin Rama e më pas liderin e PD-së Lulzim Basha, ndërkohë që nesër do të zhvillojnë takime të tjera.

Exit mobile version