Holanda reagon ashpër për Ramën dhe Ruçin: Dorëzoni Tahirin dhe vëllanë e ministrit

Gazeta më e madhe në Holandë “De Telegraaf” i ka kushtuar një shkrim deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit te Kuvendit Gramoz Ruci, për delegacionin me 8 deputetë holandezë që erdhën në Shqipëri për një mision faktmbledhës. Shkrimi shpreh çudine se si deputeti i parë iu përgjigj kritikave të holandezëve, duke folur për këngëtarët shqiptarë në Eurovizion dhe për fushën e futbollit. Gazeta raporton edhe për përgjigjen e Ramës, që vizita si ato të deputetëve holandezë e bëjnë për të qeshur.
Në shkrim thuhet se shqetësimi i holandezëve gjatë vizitës në Tiranë ishin ndryshimet e fundit në prokurori që lidhen me çështjen e ish-ministrit Tahiri, si dhe raportimet e mediave shqiptare për mosekstradimin e vëllait të ministrit Xhafajt. Këto, pasi qeveria holandeze me herët ka thënë që Shqiperia nuk është gati të anëtarësohet në BE.
Kryetari i delegacionit të grupit parlamentar holandez Malik Azmani, tha për gazetën Telegraaf: “Siç duket kemi shkelur tek diçka e ndjeshme në Shqiperi me pyjetjet tona, gjithsesi i kemi mbajtur të gjitha shënim”.
Një ditë pasi holandezët u larguan, Edi Rama reagoi me tallje dhe ironi, për vizitën e tyre dhe faktet që ato mbledhin me 4 apo 5 takime me politikanët.
“Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me “fact-finding” (faktmbledhëse).

Vijnë në mëngjes dhe ikin pasdite për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, takojnë ca deputetë. Takojnë edhe mikun tim të shtrenjtë, me të cilin na bashkon, sigurisht në mënyra të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe largohen. Dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysëm dite? Ndërkohë që Komisioni Europian është një ushtri ekspertësh të panumërt që hane fakte, pinë fakte, flasin fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte. Si mund të kontestohet apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është në terren çdo ditë me fluturime gjysëm-ditore, me takimet e 5 politikanëve?” u shpreh Rama, që për ironi sulmin e bëri në një aktivitet të Ditës së Europës.
Akoma më nervoz u shfaq Gramoz Ruçi, që nuk ngurroi të flasë për të mirat e diktaturës, kohë kur nuk kishte as kriminalitet, as drogë, dhe as korrupsion, fenomene që sipas Ruçit shqiptarët i gjetën mes europianëve.
“Ndonjëri mund të më quajë nostalgjik mua, meqë vij nga sistemi i kaluar. Në atë sistem nuk kishte as drogë, as korrupsion, as prostitucion dhe as kriminalitet. Ne bëmë zgjedhjen tonë, ose të rrëzonim diktaturën dhe Shqipërinë ta hapnim, siç u hap ose duhet të mbanim diktaturën dhe të qëndronim mbyllur pa këto fenomene.
Dhe të gjitha këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, por i gjetën mes europianëve. Dhe gjithë kjo betejë ose kjo luftë duhet fituar bashkërisht. Se do të vazhdoja t’i thoja kolegut holandez që nëse është njollë e zezë mbjellja e hashashit, e vetmja në Shqipëri, fara vjen nga Holanda, teknologjia është në Holandë, tregu është në Holandë se është e ligjëruar dhe unë nuk akuzoj Holandën që është vendi i BE, por kam të drejtën të mos më identifikojnë mua si vend me këto, por të më vlerësojë për përpjekjet që unë bëj dhe rezultatet e arritura si rezultat i zbatimit të ligjit deri tek vetingu për ta përvëluar këtë fenomen negativ për vendin tone”.

Exit mobile version