Prokuroria e Përgjithshme ka në dorë dosjet për 4 kryetarë bashkish, të kapur në shkelje me formularin e dekriminalizimit. Në kulmin e konfliktit politik për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, autoritet holandeze dorëzojnë pranë organit qendror të akuzës, dosjet me vendime penale për katër kryetar bashkie në vend.
Mësohet se disa prej tyre janë listuar në zgjedhjet e ardhshme, duke kërkuar një mandat 4-vjeçar. Konfirmohet zyrtarisht që dosjet për katër kryebashkiakët i janë dorëzuar prokurores së përgjithshme. Emrat e tyre nuk bëhen publikë, ndërsa pritet që të kryhet ballafaqimi me formularët e dekriminalizimit të plotësuar prej tyre. Këto materiale do t’i nënshtrohen verifikimit dhe nëse Prokuroria i drejtohet Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, raporton A2CNN.
Dosjet konsiderohen ende si sekret dhe nuk jepen detaje në lidhje me informacionet që përmbajnë ato, nëse janë vendime penale apo dokumente që përfshinë drejtuesit vendorë në veprime antiligjore në vendet e huaja. Mësohet se sektori i verifikimit të integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesë disa shteteve për informacion mbi subjektet që kanë deklaruar se kanë jetuar në një shtet të huaj.
A do të përbëjë ky fakt një problem për sa kohë jemi në start të fushatës elektorale? Në mars të vitit 2017, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla kërkoi ndërprerjen e mandateve për dy kryetarë bashkish, atë të Tepelenës dhe Poliçanit, por pas dy vitesh hetimet ndaj tyre stopuan edhe pse dyshimet për akuzat ndaj tyre ishin të rënda.