Holanda: Vrasësi Frroku do ekstradohet, Tahiri në siklet

Arben Frroku mund të rikthehet shumë shpejt në atdhe. Kjo do të ndodhë pasi Gjykata e Amsterdamit ka vendosur në favor të kërkesës së drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut. Vendimi i gjykatës, i cili është siguruar ekskluzivisht nga “ABC News”, shprehet se pas shqyrtimit të kërkesës nga Shqipëria nuk ka asnjë pengesë për të ekstraduar Frrokun.
Sipas gjykatës kërkesa e parë për ekstradimin e Frrokut ka mbërritur në zyrat e Ministrisë holandeze për Siguri dhe Drejtësi në datën 4 maj 2016. Dosja e plotë për ekstradimin e Arben Frrokut mbërriti në Amsterdam në datën 20 korrik 2016, e cila përmbante vendimin e formës së prerë të gjykatës shqiptare për dënim të përjetshëm si fajtor në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Avokati i Arben Frrokut tha para Gjykatës së Amsterdamit se provat mbi të cilat është dënuar Arben Frroku nuk qëndrojnë dhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë nuk japin pamje të qarta që implikojnë Frrokun në vrasje.
Avokati mbrojtës ka pretenduar që çështja ndaj Arben Frrokut është e korruptuar dhe gjyqi ndaj tij ka qenë politik. Por Gjykata e Amsterdamit ka hedhur poshtë pretendimin e avokatit për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë procesit të gjykimit. Në vendim thuhet se përveç dokumenteve për gjendjen e përgjithshme të korrupsionit në gjykatat shqiptare, nuk ka asnjë provë që vërteton pretendimit për ndërhyrje politike në gjyqin e Frrokut.
Sipas gjykatës, në të dy shkallët e gjykimit ndaj tij, vetë i akuzuari ka zgjedhur me dëshirë të njëjtit avokatë për t’u mbrojtur. Kjo për gjykatën do të thotë se i pandehuri i atëhershëm ka pasur mundësinë të mbrohet.
Gjykata po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtësve ligjorë të Frrokut se atij në Shqipëri i kërcënohet jeta nga gjakmarrja me argumentin se burgjet shqiptare janë të sigurta.
Sipas gjykatës, pavarësisht bindjes për këtë fakt, nuk është kompetenca e saj analiza e rrezikshmërisë në burgjet shqiptare, por kjo është kompetencë dhe do të çmohet nga Ministria holandeze për Siguri dhe Drejtësi.
Treshja gjyqtare, për këtë arsye me vendimin e një dite më parë ka vendosur në favor të ekstradimit të Arben Frrokut në Shqipëri. Pas vendimit gjykata holandeze i ka lënë Frrokut 14 ditë kohë për ta apeluar atë. Nëse kjo nuk ndodh apo gjykata apeluese lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Amsterdamit dosja e Frrokut do të përfundojë mbi tavolinën e ministrit holandez dhe me shumë gjasa, atëherë Frroku do të ekstradohet.

Si Rama dhe Tahiri e lanë të arratisej

I akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamajt është dënuar me burgim të përjetshëm më datën 29 qershor 2015, por Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datë 19 qershor 2015. Por këtë ditë ai u ndalua në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, pasi rezultonte në kërkim në bazë të urdhër arrestit të parë të lëshuar nga gjykata. Arben Frroku nuk ishte regjistruar as në dalje e as në hyrje të kufirit shqiptar.
Më datën 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm, por ai ishte larguar nga Shqipëria 10 ditë para se të dënohej. Në fakt, një gjë e tillë nuk do të ishte marrë vesh nëse autoritetet malazeze nuk do të ndalonin Frrokun në kufi me Kroacinë, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ky urdhër edhe pse u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së Parë me dhënien e pafajësisë ndaj Frrokut, figuronte ende në sistem për shkak të mosrifreskimit të vendimit të gjykatës. Më datë 19 qershor autoritetet shqiptare njoftohen nga homologët e tyre malazezë se në kufi me Kroacinë ishte ndaluar shtetasi shqiptar Arben Frroku.
Sipas të dhënave të Interpolit rezultonte se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes ndaj punonjësit të policisë me një masë sigurimi të caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas marrjes së këtij informacioni, Interpol Tirana ka nisur verifikimet dhe pasi është njohur me urdhër arrestin ndërkombëtar ka konstatuar se ai i përkiste muajit shkurt të vitit 2013, kohë në të cilën Arben Frroku u shpall në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë, Dritan Lamaj.
Pas verifikimit të informacionit, Interpol Tirana ka komunikuar me kolegët malazezë, të cilët pas verifikimeve kanë lënë të lirë Frrokun, që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga ky informacion, autoritetet shqiptare kanë kryer verifikime mbi kohën e daljes së të pandehurit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Por nga verifikimet në sistemin TIMS nuk rezulton që Arben Frroku të ketë dalë nga Shqipëria.

Artikulli paraprakQëndrim zuzar, korruptiv e prej xhahili i piktorit dështak!
Artikulli tjetërPërse Veliaj nuk ngushëlloi familjen e 17-vjeçarit?