Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj: Librat e mi poetikë nga i pari tek i fundit

“Të gjithë librat e mi poetikë” – Intervistë e poetit Preç Zogaj për UET PRESS 

“Emrat tuaj”, libri i parë botuar në vitin 1985 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”.   Na thoni diçka që ju ka lënë mbresë nga ky libër?

Erdhi pasi kisha provuar disa herë të botoja një vëllim me poezi. Herën e parë në vitin 1977. Isha nëntëmbëdhjetë vjeç, punoja në kooperativë në pritje mos me dilte e drejta e shkollës së lartë. Postieri solli në fshat në adresën time një zarf të madh. S’kishte ndodhur ndonjëherë të vinte një zarf i tillë në Manati. Brenda ishte një kopje e dorëshkrimit dhe përgjigja negative e shtëpisë botuese. Im atë qëlloi ta merrte para meje. Kurioz me zarfin e çuditshëm, ai e kishte hapur dhe kishte lexuar përgjigjen. Aty shkruhej ndër të tjera se unë nuk kisha mbajtur parasysh mësimet e pleniumit të katërt të Komitetit Qendror! Babai ishte bërë helm. Shkova dhe takova ne Lezhë Rudolf Markun. Ky këputi një “çfarë idioti” për redaktorin, pastaj, duke dashur të me qetësonte, shtoj se këto gjera redaktorët i shkruanin edhe për të qenë brenda. Provova pa sukses edhe katër herë të tjera me vëllimin e parë. Më kthenin mbrapsht duke më vënë në dukje gjithnjë se merresha me tema minore. Gjë që ishte e vërtetë, por ashtu më vinte. Nuk shkruaja dot për tema të mëdha. Edhe kur provoja, i grisja sepse më dukeshin shumë të këqija si poezi.

Dhe si ndodhi që arritët te botimi i librit të parë? Ndryshuat tematikën?

Jo. E dëshmon vetë libri, që u botua mjaft i sakatuar në vitin 1985. Mendoj se rrugën e hapi një cikël i botuar në gazetën “Drita” nga kryeredaktori i saj në atë kohë, shkrimtari Zija Çela. Nuk e harroj kurrë momentin kur Zijaj mori të lexonte nja shtatë a tetë poezi të mijat të shtypura me makinë shkrimi. I lexoi nga fillimi në fund pa e ngritur kokën, ndërsa prisja në këmbë. Kur mbaroi, me pa nga poshtë lart. Sytë i shndrisnin. “Do ti botoj këtë javë”, tha. Dhe i botoj vërtetë. Jo në faqet e mesit, dedikuar gjithmonë poezive, duke qenë se këto faqe ishin përgatitur e kishin shkuar në shtyp para të tjerave, që të enjten. Si të mos donte të priste javën e ardhshme, i botoi në faqen e lajmeve të jashtme, gjë që u bëri më shumë publicitet.

Botimi i një cikli të gjerë në gazetën letrare më autoritare të vendit bëri të pranohesha papritur si një autor premtues. Kjo ndikoi zhbllokimin e vëllimit tim të parë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Por nuk u mora më me dorëshkrimin e atij libri. Të dlite, si të dilte. Kisha akumuluar shumë poezi të reja përgjatë pritjes dhe s’doja të kthehesha në pikën e nisjes. Në fakt, disa prej poezive që nuk më ishin pranuar në vëllimin e parë dhe ato që më botoj Zija Çela i përfshiva në librin e dytë.

Libri i dytë ishte gati domethënë?

Po. Ky ishte vëllimi me titullin “E pakryer”, që unë nganjëherë “harroj” dhe e quaj të parin ngaqë u botua siç e doja, pa prerje dhe sakatime denatyruese.

Çfarë kujtoni si të veçantë nga vëllimi i dytë?

Të veçantë! Mendoj redaktoren Iskra Thoma, një grua e kultivuar, me shije letrare moderne, mendje e hapur me aq sa mund të flitej për mendje të hapur në atë kohë. Isha kaq i stresuar nga redaktorët, sa kur më foli për librin tim të ri, mu duk si ëndërr. I detyrohem shumë asaj zonje. Nuk e harroj sa shpejt u morën vesh për titullin “E pakryer”, sikur ishim në një mendje për nënshtresat kuptimore që përmbante, në ruajtje të natyrës poetike.

Dhe vjen vëllimi i tretë?

Vjen vëllimi i tretë me titullin gjithashtu atipik besoj “A thua do të vish duke qeshur” me redaktore përsëri Iskrën.

Çfarë përfaqësoi për ju ky vëllim mjaft i përmendur nga autorë që erdhën pas jush?

Është libri që më katapultoi si një zë përfaqësues i gjeneratës së poetëve të viteve tetëdhjetë. Siç e thoni dhe ju në pyetjen tuaj, më bëri shumë adhurues mes krijuesve më të rinj në moshë që do të afirmoheshin sidomos pas hapjes demokratike të vendit. Një prej tyre është poeti me famë ndërkombëtare tashmë, Gjekë Marinaj, që vazhdon ta mbajë këtë vëllim në kolanën e librave të preferuar në bibliotekën e tij në Dallas, SHBA, ku jeton prej tre dekadash.

Para dy vitesh, në një kthim në vendlindjen e tij në Malësi të Madhe për të marrë titullin “Qytetar Nderi” dhënë nga bashkia e Koplikut, Gjeka foli me adhurimin e vjetër për këtë libër dhe unë, me të qeshur, thashë se kur dëgjoj të flitet kaq mirë për këtë libër më shkon mendja se do të kishte qenë më mirë të kisha vdekur që atëherë.

Poetë të tjerë të talentuar janë shprehur për ndikimin, që ka patur ky libër në përhapjen e një fryme të lirisë artistike në atë periudhë.

“Qielli i gjithkujt”, një titull sërish befasues, libri juaj i fundit të një epoke, pasi në të janë përmbledhur poezitë tuaja të shkruara gjatë viteve 1989-1990.

Ketë që ishte libri im i fundit të një epoke e dimë pasi ndryshimet demokratike ndodhen. Jo kur poezitë u shkruan. Libri e reflekton nderjen e pritjes se një lajmi të ri. Titulli është afirmativ dhe replikues. Metafora e fluturimit “pa viza” kontraston dhe pohon me mjetet e poezisë izolimin në tokën pa kontinent të Shqipërisë së asaj kohe. Por drama pulson në prani . “Në shkrepat e Velës do ta pres trupin tim/ endacakun qe mbledh andej-këndej figura”, thotë vargu përmbyllës.

Folët për vëllimet e botuara para viteve ’90. A ju kanë kërkuar ndonjeherë të fusni në libër poezi ideologjike me porosi për “tema të mëdha”, siç thuhej, për partinë, Enverin, njeriun e ri, socializimin, diktaturën, e tjerë?

Njoh poetë që u është kërkuar kjo gjë. Njoh që kanë shkruar e kanë përfshirë në libra ndonjë poezi propagandistike. Herë se mund ta mendonin ashtu dhe më shpesh në formën e “taksës” për të kaluar poezi alegorike me dykuptimësi, e tjerë. Mua nuk më është kërkuar drejtpërsedrejti një gjë e tillë. Kurse në shtyp edhe na kërkonin ndonjëherë ndonjë poezi të ditës për ndonjë ngjarje jubuilare. Në libra nuk kam asnjë të tillë. Dua të pohoj se kur fillova të botoj unë dhe sidomos nga fundi i viteve tetëdhjetë atmosfera dhe vigjilenca në letërsi nuk ishte ajo e viteve shtatëdhjetë. Unë dhe disa autorë të brezit tim kemi përfituar nga kjo, le ta quajmë, bjerrje vigjilence. Dhe kemi mundur të vihemi në kontakt, me pikatore dhe me etje të shtuar edhe për ketë shkak, me letërsi botërore të ndaluar apo të panjohur. E gjithë kjo përmes përkthimeve ilegale që qarkullonin dorë me dorë, nga Rudolf Marku dhe Petro Zhej për sa kam njohur unë, por edhe në përkthime anonime, një prej të cilave ka qenë poezia e famshme e Oscar Wilde “Çdo njeri e vret gjenë që dashuron”, përkthyer nga Robert Shvarc, siç e kam marrë vesh me vonë; apo përmes librave në origjinal që hynin në vend, diku të porositur për përdorim të kufizuar nga biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, ose përmes botimeve nga Kosova që vinin për fondin rezervat të Bibliotekës Kombëtare. Një tjetër burim ishin radiot dhe televizionet e vendeve fqinje, sidomos ato italiane, ku unë kam dëgjuar për herë të parë të recituara poezi të Salvatore Quasimodos.

“Këmbësor në qielli” , vëllimi i pestë në krijimtari, i pari në demokraci…

Është botuar në vitin 1994 dhe përmbledh poezitë e shkruara në vitet e parë të lirisë. Mendoj se ruan vijimësinë e mënyrës sime të të shkruarit dhe reflekton dimensionin e ri të lirisë, që më ka dhënë krahë, por nuk më ka iluduar sa të rrezikoj rënien në banalitet. Liria në poezi është mbi të gjitha artistikja.

Kush kanë qenë lexuesit e parë të librave tuaj në dorëshkrim?

Gjithmonë, sot e kësaj dite, Rudolf Marku. Shpesh herë, deri në fund te viteve nëntëdhjetë, Ndoc Gjetja, Agim Isaku, Besnik Mustafaj, Ilirian Zhupa, Remzi Lani, Teodor Keko. Më vonë dhe në vijim, studiuesi i shquar dhe miku im, Gëzim Basha.

Cili ka qenë libri më i dashur nga krijimtaria juaj?

Më i dashuri? Mendoj pa zë “Këmbësor në qiell”, ndoshta edhe sepse humbi pa rënë në sy në tollovinë e viteve të para të demokracisë. Redaktor dhe botues ishte poeti Frederik Rreshpja, autori i kopertinës, Edi Rama. Shumë vite me vonë e kam botuar pjesërisht këtë libër në gazetën ExLibris të botuesit Bujar Hudhri.

Ka pasur ndonjë libër që keni hezituar fillimisht ta botoni?

Gjithnjë hezitoj, por kjo ka lidhje me botimin në tërësi, jo thjesht me një libër të veçantë. Për ndonjë libër në prozë jam penduar që nuk kam pritur. Për vëllimet me poezi jo.

Cila është kopertina që ju pëlqen më shumë?

Kopertina e vëllimit “Fundi një fëmijëri tjetër”, realizuar me mjeshtëri nga Parid Teferiqi, poet, piktor, përkthyes i shquar.

Cili libër ka pasur jehonën më të madhe?

Besoj “Qielli i gjithkujt” dhe përmbledhja me poezi dashurie “In love”.

A ka pasur ndonjë poezi që keni dashur ta përfshini në secilin libër që keni botuar?

Po. Disa. Po veçoj këtu poezinë e hershme “Nganjëherë ëndrra”, botuar te vëllimi “A thua do të vish duke qeshur”.

Cila është ndjesia që ka një autor kur merr në dorë librin e saposhtypur?

Flas për vete. Pas gëzimit që kalon shpejt, më ndodh të pushtohem nga një ndjesi pasigurie, që afron me frikën. Gëzimi kthehet serish, në një alternim të pambaruar me ekzigjenca më të larta, të papërmbushura, që shtyhesh t’i përmbushësh në librat e ardhshëm.

Mes librit të parë me poezi “Emrat tuaj” dhe të fundit “Një e tretë dashuria” si do ta përshkruanit rrugëtimin?

Një udhëtim në kërkim të poezisë më të bukur që ende nuk e kam shkruar. Dhe ndoshta nuk do të arrij ta shkruaj. Por ngushëllohem tek e ndjej të flatrojë nga një ditë në tjetrën në përfytyrimet e mia.

—————————————————————————————- “Emrat tuaj”, (1985, shtëpia botuese “Naim Frashëri”

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Erdhi pas një pritjeje të gjatë, kur mendërisht isha hedhur te vëllimi i dytë. Por mbetet i pari.

“E pakryer”, ( 1986, shtëpia botuese “Naim Frashëri”)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

I dyti që më rri në mendjen si i pari.

“A thua do të vish duke qeshur”, (1988, shtëpia botuese “Naim Frashëri”

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Vargu-titull për t’u lexuar para pasqyrës

“Qielli i gjithkujt”, ( 1990, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Botuar në pesë mijë kopje. Si asnjë më parë dhe si asnjë më pas.

“Këmbësor në qiell”, ( 1994)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Botues dhe redaktor: Frederik Reshpja. Kopertina: Edi Rama

“Kalimi” ( 1998, botuar nga Toena)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Fitues i çmimit “Penda e argjendë”, si libri më i mirë i vitit 1999.

“Pas erës së re” ( 2003, botuar nga “Ora”)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Titulli tjetër mund të ishte: Më kërkonte të mos doja kërkend tjetër.

“Gjallë unë pashë “ (2007, botuar nga “Dita”.

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Po të ishte zakon mund ta botoja me një heteronim, siç bentë Fernando Pesoa. Fjala vjen Poke Moni. Fitues i çmimit “Lasgush Poradeci” si libri më i mirë poetiki vitit.

“Nuk ndodh asgjë veç dashurisë” (2010, shtëpia botuese “Toena”.

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Titulli alternativ, që ma permend herëpashere botuesja Irena Toçi , mund të kishte qenë “Vdekja, e ardhmja ime”.

“Fundi, një fëmijëri tjetër” (2013, botuar nga “Tirana time”.

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

I përsosuri për cilësinë e shtypjes e lidhjes nga botuesi Bujar Hudhri.

“Ushtrimet e melankolisë” (2016, botuar nga UET Press)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Si një kantatë e gjeneratës së cilës i përkas. Vëllimi i parë poetik botuar nga “Uet Press”.

“Një e tretë, dashuria” (2021, botuar nga UET Press)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Vëllimi i fundit me poezi…tani për tani. Me parathënie të poetit Rudolf Marku

“Bashkudhëtar kam dashurinë”, (Rilindja, Prishtinë, 1991)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përmbledhja e parë në Kosovë me përzgjedhjen e poetit Eqerem Basha

“Terre sans continent”, ( Toke pa kontinent, botuar nga “ L’esprit des puninsules”, Paris, 1995)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përmbledhja e parë në frëngjisht, në pëkthimin e Elisabeth Chabuel. Fjalë të padëgjuara më parë në Pasthënie nga botuesi Eric Noulleau : “ Zbulojmë në këtë përmbledhje një zë mrekullisht të kursyer nga dekadat e represionit dhe gjuhës së drunjtë, sa të besosh se shkrimtari kishte gjetur azil poetik në ndonjë faltore klandestine”.

“Occurrence on warth” (Shtëpia botuese “Mundus Artium Press” e Universitet të Dallasit, 2011)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përmbledhje poezish në shqip dhe anglisht, përzgjedhur, e përkthyer dhe përcjellë me një parathënie-esse nga ana e poetit i shquar Gjekë Marinaj.

“Ngjarje në tokë”, ( 2011, Tirana time”

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përmbledhja analoge në shqip, botuar me dashuri të madhe nga Jerina Zaloshnja  dhe Albert Rakipi.

“In love”, ( UET Press, 2019)

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përmbledhje me poezi lirike me parathënien e rrallë të studiuesit Gëzim Basha. Më i kërkuari pas “ Qielli i gjithkujt”.

“Dhimbja nuk ka mëshirë”, (2012, Botuar nga shtëpia botuese “Dita 2000” Antologji e tre poetëve lezhjanë: Ndoc Gjetja, Rudolf Marku , Preç Zogaj.

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

Përgatitur nga shkrimtari dhe studiusi Kujtim Dashi, si një amanet dhe punë e nisur nga Ndoc Gjetja përpara se të ndërronte jetë në vitin 2010. Po nga Dashi parathënia.

“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” ( poezi të zgjedhura, 1984-2024), libri i librave të mi, permbledhja ime më e gjerë, që përuron kolanën “Plejadë” të botimeve të UET PRESS, me një parathënie të gjerë nga Gezim Basha,Pedagog i Lëndës së Shkrimit Akademik në Unversitetin e Wisconcis, SHBA.

Hollësi për secilin vëllim, rrëfimi i Preç Zogaj:

 

Artikulli paraprak“Near-shoring” po e kthen Europën Lindore në Kinën e re! Por, cilat janë rreziqet e “lulëzimit” të investimeve të huaja direkte
Artikulli tjetërNjë përfaqësi e Zulluve në Strasburg