Homazh për Said Demnerin

Zydi Ali Turdiu

Më 5 maj 2019 mbylli sytë në Windsor të Kanadasë, në moshën 99 vjeçare, njeri nga dishepujt e nacionalizmit shqiptar, bashkëpunëtori i gjeniut te kombit, të madhit Mid-hat Frashëri dhe luftëtari për lirinë dhe demkracinë e kombit shqiptar, Said Demneri.
Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të shkruaja këto dy rreshta si homazh për të. Nuk besoja, se deshëm ta kishim përjetësisht pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishte nisur qysh në rininë e tij të herëshme, sepse kishim nevojë për praninë e tij, për mendimin e tij, për fjalën e tij të urtë. Por ai iku. Zoti kishte vendosur ta merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ai ishe ndër më të mirët.
Filozofi i shquar Niçe ka thënë:

“Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere? Gjaku”

Gjaku nuk i mungonte Saidit. Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Ai i përkiste familjes së njohur tiranase të Demnerve, një familje e madhe autoktone e kryeqytetit. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira dhe ai mbijetoi sepse në venat e tij rridhte gjak fisniku.
Lindi në Tiranë më 9 gusht 1920 në familjen Demneri, një ndër më të mëdhatë dhe të hershme tiranase, me tradita tradiconaliste të cilat i kishte trashëguar dhe zhvilluar më tej me dinjitet. Në vitin 1927 në familjen e tij ndodhi një fatkeqësi. Shuhet nëna e tij e dashur duke lënë pesë fëmijë: Mehmetin 15, Fitneten 13, Osmanin 11, Saidin 7 dhe Saliun vetëm 3 vjeç. Dhimbja ishte e madhe. Kjo gjë e tronditi dhe i la një boshllëk në shpirt. E kujton fare pak të ëmën. Pas dy vitesh i ati, Qazimi, detyrohet të martohet përsëri. Saiti do të thoshte:

“Kam qenë i vogël, vetëm nëntë vjeç, kur kam parë “nusen e tatës” të nesërmen në mëngjes.”

Kishte një vullnet të madh për të studiuar. Në vitin 1933 përfundoi arsimin fillor në shkollën “Kristoforidhi”. Në vitin 1934, ndërsa vazhdonte mësimet në liceun e Tiranës detyrohet t’i ndërpresë ato për arsye shëndetësore dhe t’i fillojë përsëri në vitin 1936 por nuk arriti t’i përfundojë pasi në vitin 1943 liceu u mbyll për shkak të Luftës së Dytë Botërore që kishte përsfshirë edhe Shqipërinë. Gjatë viteve të studimit në lice ai tregonte një etje të madhe për botimet e kohës, sidomos ato me përmbajtje historike, ideologjike, artistike si dhe ato nga jeta e personaliteteve të shquar të kohës.. Ishte klient i rregullt i librarisë “Argus” që drejtohej nga Mid-hat Frashëri, alias Lumo Skëndua. Botimet e kohës dhe sidomos takimet e zhvilluara me Mid-hatin, e bënë të riun tiranas shumë të ndjeshëm ndaj ndjenjave nacionaliste, të cilat i përvetësoi me bindje duke u qëndruar besnik gjatë të gjithë jetës së tij. Biblioteka e tij personale pasurohej çdo ditë me botimet e kohës sa që raftin ku ai ruante me kujdes dhe shije librat e quanin “Biblioteka e Said-it”.

Në këto vite Said Demneri, i brumosur me ndjenjat atdhetare nacionaliste, qysh kur ishte në lice, në moshën 20-22 vjeçare, e kishte të qartë se idetë nacionaliste do të ishin alternativa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë si një shtet demokratik me vizione perëndimore, në luftë të pandërprerë me idetë komuniste që po mashtronin popullin e thjeshtë dhe sidomos pas krijimit të Partisë Komuniste nga emisarët serb Milladin dhe Popoviç. Ai lidhet si mishi me thoin me idealet nacionaliste të Ballit Kombëtar, të mishëruar në dekallogun e famshëm të hartuar nga Mid-hat Frashëri dhe intelektualët e tjerë nacionalistë. Ai e quan liderin e kësaj lëvizje nacionaliste “Gjeniu i Kombit” ne librin e historianit Huran Butka kushtuar këtij personaliteti të madh të kulturës dhe politikës kombëtare, vazhdues i nderuar i frashërllinjve të shquar të historisë dhe kulturës.

Said Demneri ka një meritë të veçantë në organizimin e batalionit nacionalist “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë përkrah vëllezërve kosovarë për të luftuar serbët si dhe për përgatitjen e batalionit të dytë “ Qeramudin Sulo” që nuk arriti të shkonte. Ja si është shprehur për të miku i tij Islam Lleshi:

“Saidi ishte guximtar, impulsiv, dramatik, vendimtar dhe konseguent në mendimet e tij, Ai më parë thyhesh sesa përulesh”

I udhëhequr nga mendimet filozofike të Mid-hat Frashërit ai deklaronte në fillim të intervistës së organizuar më 4 korrik 1996:

“Partia jonë është Shqipëria! Në roberi puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna. Për mua nacionalizmi është themeli i një kombi. Nëqoftë se një komb nuk qëndron mbi themele të forta nacionaliste atëhere ai është i destinuar të gllabërohet nga popuj të tjerë, çka përbën një proces të gjatë asimilimi dhe persekucioni fizik dhe moral.”

Kjo sentencë u vërtetua plotësisht gjatë të gjithë periudhës së sundimit të sistemit totalitar komunist.

Qysh kur ishte në liceun e Tiranës, organizon dhe u mëson të rinjve idetë nacionaliste si kundërpeshë me idetë e të rinjve komunistë të drejtuar nga Ramiz Alia, shoku i klasës së tij. Formimi politikë dhe aftësitë e tij organizative e vendosin atë në strukturat drejtuese të Ballit Kombëtar për Tiranën. Për nacionalistët po bëhej çdo ditë e më tepër e qartë se rreziku më i madh po i vinte Shqipërisë nga propaganda komuniste dhe mbështetja ndërkombëtare që kishte, falë ndarjes së zonave të influencës që ishte bërë në takimin Rosvelt-Çurçill-Stalin, ku Shqipërinë e kishin lënë nën influencën ruse. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët u pa qartë qëllimi i tyre me zhvillimin e një lufte civile kundër forcave nacionaliste, ku sumdonte parrulla “pushteti buron nga gryka e pushkës” që u bë simbol i komunistëve dhe që solli grabitjen e pushtetit nga ata në përfundim të luftës.

Në vjeshtën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Shqipëria kishte rënë nën kthetrat komuniste, Mid-hat Frashëri deklaronte:

“Ne po humbasim, sepse nuk mund të pengojmë komunizmin që mbështetet e përkrahet deri me vendime ndërkombëtare për zonat e influencës, ku Shqipëria është caktuar zonë komuniste, ndërsa në vend komunistët përdorin dhunën, terrorin, krimet që më shumë do të bien mbi kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.”

Në kërto kushte, Saidit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të merrte rrugën e emigrimit në botën e lirë. Ai i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonte i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tij. Donte të jetonte në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq, atdheu kishte rënë në një epokë terrori komunist, në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe, në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e lira, ndjenjat e shpirtit të pastër, në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as të jetoje, në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Kështu drejtues nacionalistë grumbullohen në Shkodër, rreth 200 vetë, dhe më 14 nëntor 1944, me Mid-hat Frashërin në krye u nisën nga Tivari për në Brindizi, me qëllimin e lartë për të vazhduar luftën për lirinë e atdheut. Mid-hat Frashëri deklaronte:

“Bota duhet ta di se ne bëmë detyrën karshi atdheut dhe qytetërimit. Nuk po largohemi për të shpëtuar veten, por për të vazhduar përpjekjet tona në vendet e botës së lirë që të përgatisim rrugët e shpëtimit të Shqipërisë.”

Midis tyre ishte edhe Said Demneri. Kështu filloi periudha e endjes që nga Italia në Egjypt, Australi dhe deri në Kanada. Ai ishte i bindur se lufta e tyre një ditë do të kurorëzohej me sukses, se do të vërtetoheshin idetë e tyre nacionaliste. Ai ishte kudo ku e kërkonte detyra, pa u ndalur nga asnjë pengesë apo vështirësi. Ai do të mbante lidhje të vazhdueshme me drejtues të Ballit Kombëtar në emigracion dhe miq të tjerë, duke dhënë mendimet e tij racionale që vlerësoheshin dhe respektoheshin. Ai ishte i ndjeshëm karshi halleve të jetës që i shfaqeshin, për mallin për familjen me të cilën u nda për gati një gjysëm shekulli dhe falë karakterit të tij dijti t’i përballonte me sukses me një vullnet shëmbëllor.

Korespondenca që kishte shkëmbyer me rreth 100 miq të idealit të tij, është një tregues ku lexohet qartë respekti që bashkëqytetarët e tij ruanin për të.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ai ishte gjithmonë në rradhën e parë të atyre që e mbështetën me konseguencë demokratizimin e vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Përmbysjen e sistemit komunist në fund të vitit 1990 dhe vendosjen e sistemit perëndimor të demokracisë e përjetoi me një entusiazëm të madh. Tashmë rrugët e kthimit në atdhe ishin të hapura dhe ai nuk mund të priste më tepër.
Më 2 prill 1992 Saidi kthehet në atdhe. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Së bashku me nënën time, që ishte motra e Saidit, qëndronim pranë shkallëve të avionit duke pritur që ai të zbriste. Së fundi ai u shfaq. Nëna, me lotë në sy thërriste:

“Said i motrës…Said i motrës…!”

Me një veshje me rroba të lehta për një udhëtim të gjatë dhe me në kokë një qylaf me shqiponjën dykrenore në ballë, ai qëndroi për një çast me shikimin lart, sikur i falej Zotit, pastaj zbriti shkallët me hap të sigurtë. Nëna ra në krahët e tij ndërsa ai e shtrëngonte fort në gji motrën e dashur. Ishin çaste prekëse dhe mallëngjyese të cilat nuk mund t’i harroj apo përshkruaj kurrë. Nga sytë e nënës vazhdonin të rridhnin lotë të nxehtë gëzimi, ai vazhdonte ta shtrëngonte në gjirin e tij pa derdhur asnjë pikë loti. Karakteri i një burri të fortë.
Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e para që tha:

“Motër, i falem të madhit Zot që më dha jetë dhe forcë për këtë ditë.E di se keni hequr tepër për shkakun tim. E di se komunistët më kanë quajtur armik, tradhëtar, kriminel. Kam qenë dhe jam nacionalist. Kurrë nuk kam qenë armik, tradhëtar apo kriminel. I falem Zotit të Madhërishëm që ma plotësoi dëshirën dhe u ktheva përsëri në atdhe për t’iu parë dhe takuar juve. Me këtë qylaf me Shqiponjën dykrenore në ballë jam larguar nga Shqipëria dhe me këtë po kthehem përsëri në atdhe. E kam mbajtur dhe e kam ruajtur me kujdes për gjithë ato vite që isha në emigracion, kudo që kam qenë, me dëshirën dhe shpresën se një ditë do të kthehesha në atdhe me këtë në kokë.

Kishin kaluar 48 vjet. Saidi, i larguar 24 vjeç, kthehet 72. Motrën, nënën time e la 31 vjeç, e gjeti 79. Mua më la 9 vjeç, më gjeti 57. Kështu me rradhë edhe të tjerët. Së bashku me Saidin u kthyen edhe gjashtë emigrantë të tjerë, të gjithë nga krahina e Vlorës. Për njerin prej tyre, i cili ishte invalid në një karrocë me rrota, Saidi na tha:

“E kemi sjellë nga Windsori i Kanadasë për t’i plotësuar dëshirën që të qëndronte deri në fund të jetës së tij në atdhe.

Kur Saidi po kryente formalitete zyrtare në sportelin përkatës, njeri nga ata, një burrë i gjatë, më pyeti se çfarë e kisha dhe kur i tregova se e kisha dajë dhe gruaja që ishte në krahët e tij ishte e motra dhe nëna ime, ai më tha:

Të jesh krenar për dajën tënd!

Në sheshin e aeroportit kishin ardhur me dhjetra familjarë, miq dhe shokë.
Në shtëpinë e tij u pritën vizita për dy javë. Pas përfundimit të tyre filluan takimet dhe aktivitetet me funksionarë të Partisë së Ballit Kombëtar. E shihje në Tiranë dhe në Durrës, Në Shijak dhe në Kavajë, në Shkodër dhe në Elbasan, në Korçë dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Megjithëse, për shkak të moshës, nuk kishte më gjallërinë e dikurshme, por niveli i mendimit politik dhe nacionalist ishte më progresiv dhe më demokratik, mendime që i kishte përvetësuar nga qëndrimi i gjatë në botën e lirë demokratike perëndimore për 48 vjet. Tek ai ishin rrënjosur vizionet demokratike dhe aspak ndjenjat hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë. Ndaj ai deklaronte:

“Historia t’i shërbejë së sotmes dhe jo hakmarrjes. Për botën e kulturuar dhe demokratike, krimi, terrori dhe hakmarrja nuk janë në filozofinë e tyre. Ata që nuk kanë në shpirt këto parime, tregojnë moralin dhe karakterin e tyre anti njerëzor, të cilët historia gjithmonë i ka dënuar dhe do t’i dënojë.”

Ndaj në mbyllje të këtij homazhi dua t’iu drejtohem gjithë familjarëve të tij:
. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Saidi ishte një nga këta burra. Ne humbën njeriun tonë më të mirë. njeriun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i Madh i Madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes njeriun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
Qoftë i lehtë dheu që i ka rënë përsipër!

Exit mobile version