Piani degli Albanesi, qendra kryesore e arbëreshëve në Siçili, po zbulohet së fundmi si destinacion edhe nga shqiptarët e Kosovës.
Nga Gëzim Kabashi
Piana degli Albanesi, një qytezë arbëreshe vetëm 35 minuta larg Palermos në Siçili, po zbulohet së fundmi si një destinacion shpirtëror edhe nga shqiptarët e Kosovës. Veli Berisha, 41 vjeç, jeton prej shumë vitesh në Bernë të Zvicrës dhe bashkë me tre miq nga Kosova kanë ardhur në qytezë me një mision të veçantë.
“Për arbëreshët e Italisë më ka folur shumë babai im, por kur erdha këtu për herë të parë dhe kur njoha njerëzit e Pianës, të cilët i kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare për më shumë se 500 vjet, u mahnita,” tha Berisha për BIRN.
Veli Berisha udhëtoi drejt Horës së Arbëreshëve në prill bashkë me Gencin, Ramadanin dhe Adnanin dhe u takua me kryetarin e bashkisë, Rosario Peta. Ata kanë vendosur të financojnë realizimin e një monumenti kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Të frymëzuar nga historia e Horës së Arbëreshëve, Berisha thotë se ka krijuar në Kosovë shoqatën “Hora e Skënderbeut”.
Piana degli Albanesi, e njohur edhe si Hora e Arbëreshëvet, është qendra kryesore e komunitetit arbëresh në Siçili, i vendosur aty në fillim të shekullit XVI. Komuniteti e ka ruajtur prej shekujsh gjuhën dhe zakonet, por fatkeqësisht gjuha sa vjen e po humbet.
“Unë e kam ruajtur gjuhën e nënës sime dhe po të njëjtën gjë bëjnë edhe fëmijët e mi,” thotë Giorgio Cuccia, një nga aktivistët vendas për promovimin e Pianës, edhe jashtë ishullit më të madh në Italinë jugore.
“Në fakt, në Shqipëri njohin më shumë arbëreshët e Kalabrisë dhe drejtuesit e shtetit, vizitat zyrtare i bëjnë atje. Por tani, të gjithë po i kthejnë sytë edhe nga Piana degli Albanesi,” shton me krenari Giorgio.
Një ndeshje futbolli në vitin 2017 u bë shkak – tregon Giorgio – për të rivlerësuar historinë e Horës së Arbëreshëve. Pasi tifozët shqiptarë dhe ata të Pianës i bashkuan brohorimat në stadiumin e Palermos, futbollistët shqiptarë dhe drejtuesit e FSHF-së bënë një vizitë emocionuese në qytezë.
Ndërkohë, pak ditë më parë, nga Shqipëria, Kosova dhe Italia kanë festuar së bashku suksesin e arritur nga skuadra lokale e arbëreshëve “San Giorgio Piana” dhe presidenti i saj, Evis Troka, një sipërmarrës nga Kuçova, i cili jeton dhe punon prej më shumë se 20 vitesh në Piana.
“Ky ishte një sukses që do t’i shërbejë edhe më shumë vëmendjes ndaj qytezës sonë,” thotë Cuccia, i cili tregon më tej se të martën e ardhshme në kalendarin e veprimtarive tradicionale janë ftuar katër këngëtarë të njohur nga Durrësi dhe Tirana, të cilët me siguri do t’i mbledhin të gjithë banorët e Pianës në shesh.
Roberto Ferrara, një banor i Alcamos, 50 minuta larg Palermos, është bërë shkak që miqtë e tij dhe një grup vizitorësh shqiptarë të bëhen bashkë në qytezën e arbëreshëve, që ruan gjuhën dhe traditat e vendit në anën tjetër të Adriatikut, nga ku u shkëputën 500 vjet më parë.
Sipas Robertos, “ajo që pamë ishte krejt e veçantë, me muralet e rrugicave që kujtojnë kostumet e ruajtura më shumë dashuri, e po ashtu edhe ngulimet arbëreshe të shekullit të 16-të”.
“Vizituam shtëpinë ku ka lindur poeti i madh arbëresh, Zef Skiroi,” tha për BIRN Jasemina Beqiraj, një vajzë shqiptare, e cila ka përqafuar në Alcamo një nismë që është pritur mjaft mirë edhe nga arbëreshët. Vajza nga Shkodra promovon kulturën multietnike në Itali, dhe është e kënaqur që numri i vizitorëve në laboratorin e saj sa vjen e rritet.
Për të realizuar monumentin e Skënderbeut në vendin e arbëreshëve, Veli Berisha udhëtoi drejt Graçanicës, rreth 20 minuta larg Prishtinës, për të vizituar studion e skulptorit Gëzim Murriqi.
“Monumenti i Skënderbeut do të ketë një lartësi prej 3.2 metrash dhe bashkë me shpatën e mburojën, ai do të ketë edhe pelerinën krahëve,” tha ai duke iu referuar veprës së Murriqit.
“Mezi presim gushtin e veprimtarisë që organizohet në Piana degli Albanesi, që ta shohim heroin tonë legjendar në sheshin kryesor të Pianës,” tha ai, ndërsa shtoi se duhet bërë gjithçka që “arbëreshët të mos humbasin”.