Ndryshe nga vitet e tjera ku festat e fundvitit i kanë bërë brenda dyerve të qëndrës ku edhe marrin terapi, këtë fundvit, fëmijët më çrregullim të spektrit autik festuan në ambjentet e një prej hoteleve më prestigjoze në Tiranë, Hotel “Rogner”. Të pranishëm në këtë festë ishin edhe fëmijët e stafit të qëndrës Rajonale të Autizmit në Farkë dhe asaj në Sauk.
Drejtuesit e këtij hoteli hapën dyert për familjet e këtyre fëmijëve, duke u ofruar atyre një atmosferë shumë mikëpritëse. Drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Dr.Liri Berisha, duke falenderuar drejtoreshën e Hotel “Rogner” znj. Dagmar Gietmann për këtë xhest shumë të dashur dhe miqësor, e vlerësoi këtë shërbim jo thjesht si një dhuratë për këta fëmijë, por si një mbështetje në shenjë solidariteti me kauzën e tyre. Ajo u shpreh se këta fëmijë kanë nevojë të mbështeten, të mosdiskriminohen dhe të pranohen ashtu siç janë për t’i ndihmuar të rriten dhe të integrohen.
Falë terapisë që këta fëmijë marrin në qendër, sot dhjetëra prej tyre frekentojnë shkollat. Disa prej tyre recituan vjershat e mësuara në shkollë. Në fund Dr.Lri Berisha dhe znj.Dagmar Gietmann u shpërndanë fëmijëve dhuratat e përgatitura nga Fondacioni Fëmijët Shqiptar.