Huaja për ekonominë në ngërç

Huaja për ekonominë është futur në ngërç prej gati dy vitesh, pavarësisht përpjekjeve të ethshme të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele minimale historike. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh.
Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%. I vetmi segment që po kreditohet është ai i individëve. Me bazë vjetore, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%.
Në të kundërt, huaja për bizneset është reduktuar me 4.7 miliardë lekë, apo rreth 1.2%. Tkurrjen më të lartë e ka shënuar  ajo në valutë. Teksa kredia për bizneset po rezulton më problematike dhe nuk po kthehet, bankat po i kthejnë sytë te individët.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se huat me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. Më problematike është kredia në valutë. Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë përqindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit. Kredia për bizneset (sektori privat jofinanciar) zë 64% të stokut total të huas dhe ajo për individët rreth 29% (pjesa tjetër është hua për kompanitë shtetërore, ose sektorin privat financiar).

Exit mobile version