Human Rights Watch, akuza Kinës: Po mbyll e po shkatërron xhamitë!

Kina po mbyll, po shkatërron e po tjetërson xhamitë, thotë Human Rights Watch, HRW, në raportin e saj më të fundit ku e cilëson këtë goditje të autoriteteve kineze si pjesë të një “përpjekjeje sistematike” për të frenuar praktikën e Islamit këtë vend.

Në Kinën zyrtarisht ateiste, por që pretendon se e lejon lirinë fetare, numërohen rreth 20 milionë myslimanë. Vëzhguesit thonë megjithatë se ka pasur një shtim të masave ndaj besimit të organizuar këto vitet e fundit, teksa Pekini kërkon kontroll më të madh mbi të.

BBC kontaktoi ministrinë e jashtme kineze si edhe komisionin e çështjeve etnike për të marrë një koment mbi raportin e organizatës së të drejtave të njeriut, për të cilin Maya Wang, drejtoreshë për çështje që kanë të bëjnë me Kinën, sqaroi se vjen pas provave në rritje të abuzimeve sistematike të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë në rajonin veriperëndimor të Xinjiang të Kinës.

Pekini hedh poshtë me forcë çdo akuzë për abuzim. Shumica e myslimanëve të Kinës jetojnë në veriperëndim të vendit, që përfshin Xinjiang, Qinghai, Gansu dhe Ningxia. Në fshatin me shumicë myslimane të Liaoqiao në rajonin autonom të Ningxia, tre nga gjashtë xhamitë janë zhveshur nga kupolat dhe minaret e tyre, sipas HRW, ndërsa pjesës tjetër u janë shkatërruar sallat kryesore të lutjeve.

Pamjet satelitore të siguruara nga kjo organizatë treguan një kube të rrumbullakët në një xhami në fshatin Liaoqiao duke u zëvendësuar me një faltore te stilit kinez diku midis tetorit 2018 dhe janarit 2020. Rreth 1,300 xhami në Ningxia janë mbyllur ose konvertuar që nga viti 2020, thotë Hannah Theaker, një studiuese për myslimanët kinezë. Ky numër përfaqëson një të tretën e totalit të xhamive në rajon.

Exit mobile version