Kush e vrau 16 vjeçaren Pepa? Kërkohet drejtësi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një spital privat në Tiranë, ku një 16-vjeçare ka ndërruar jetë gjatë operacionit. Blerta Pepa u operua në gju pas një dëmtimi që pësoi në orën e fiskulturës në shkollë. Fillimisht  u njoftua se vdekja kishte ardhur si pasojë se ishte injektuar anestezi më tepër se ç’duhet, por spitali ka reaguar, duke deklaruar se vdekja e pacientes Blerta Pepa ka ndodhur si pasojë e një komplikacioni të rrallë dhe jo prej mbidozës së anestezisë. Pas vdekjes së 16-vjeçares, mjeku anestezit tenton të vetëvritet po me anestezi. Tragjedia e familjes Pepa nisi me një dëmtim të vogël në gju të vajzës së tyre 16-vjeçare. Gjatë orës së fiskulturës, ndërsa luante me shoqet e saj të klasës, Blerta pati një aksident të vogël.
Prindërit e dërguan në një nga spitalet private të Tiranës dhe pas kontrolleve të para mjekët thanë se kishte këputur ligamentin. Operacioni u la për të hënën. Fillimisht u caktua ora 10:00 për të bërë ndërhyrjen, por mjekët e shtynë për në orën 19:30 të mbrëmjes në po të njëjtën ditë. Fillimisht u tha se, opercioni shkoi mirë. Por 16-vjeçarja nuk po zgjohej. Përpjekjet e mjekëve për ta zgjuar Blertën rezultuan të kota. Vajza nuk përmendej.
Në orën 1:00 të së martës, në regjistrat e spitalit u regjistrua vdekja e saj. Një shok për familjarët dhe mjekët e spitalit. Të tronditur nga humbja e vajzës së tyre, familjarët e vajzës u përplasën me mjekun anestezist. Tefik Zhurda, anestezisti, në kushtet e shokut, injektoi anestezi në trupin e tij dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Nga hetimet paraprake dyshohet se, vajzës i është injekutuar anestezi më shumë se ç’pranonte trupi i saj. Sipas të afërmëve të vajzës, Blerta ka qenë alergjike dhe për këtë i kanë vënë në dijeni mjekët para se të kryhej ndërhyrja.
Në një reagim, daja i 16-vjeçares fajëson mjekët e spitalit privat, sipas të cilit janë treguar të papërgjegjshëm. Megjithatë pritet përfundimi i hetimit nga Mjekësia Ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të humbjes së jetës të 16-vjeçares.

Reagimi i spitalit: Jo prej mbidozës së anestezisë

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe spitali privat ku humbi jetën 16-vjeçarja. Ndryshe nga çfarë u tha, spitali sqaron se vdekja e pacientes Blerta Pepa ka ndodhur si pasojë e një komplikacioni të rrallë dhe jo prej mbidozës së anestezisë, apo gabimi njerëzor. Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes, spitali deklaron më tej se është i gatshëm për çdo hetim mbi ngjarjen, duke dhënë edhe arsyen e vdekjes, që sipas tij është hipertermia malinje. Ndërkohë pas ngjarjes mjeku anestezist ka tentuar t’i japë fund jetës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Blerta Pepa, e cila humbi jetën në moshën 16-vjeçare, ka qenë një emër i dëgjuar, pasi ka qenë pjesëmarrëse në kompeticionin televiziv, “Gjeniu i Vogël”. A ju nënshtrua një operacioni në këmbë për shkak të një dëmtimi në orën e fiskulturës. Daja i saj ka sqaruar ngjarjen dhe është shprehur se, shkak për humbjen e jetës në moshë kaq të re ka qenë një pakujdesi e mjekëve.
Babai pohoi se u kishte dhënë mjekëve, analizat ku tregohej se vajza ishte alergjike ndaj barnave, por kishte marrë garanci nga mjekët. Të afërmit e saj dyshojnë tek një mungesë e respektimit të protokollit nga mjekët dhe një pakujdesi të tyre.
Policia bën të ditur se grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ku si provë materiale është sekuestruar kartela mjekësore e 16-vjeçares.

Daja i 16-vjeçares: Ministria na tha, nuk iu ndihmojmë dot

Daja i 16-vjeçares Blerta Pepa, e cila vdiq gjatë një operacioni në një spital privat në Tiranë, tregon se spitali u dha garanci të plotë, por mbesa humbi jetën nga papërgjegjshmëria që u tregua nga stafi i mjekëve. Liro Likaj, daja i Blerta Pepës, thotë se, vajza duhej të operohej në orën 10:00 dhe operacioni iu shty për në orën 19:30.
“Unë jam daja i Blerta Pepa, e cila ka qenë pjesëmarrëse tek “Gjeniu i Vogël”. Blerta fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 16-vjeçare mëngjesin e sotëm, në Spitalin “Continental”, pas një ndërhyrje në gju për meniskun dhe ligamentin.
Kemi bërë denoncim në polici, pasi besojmë që ka qenë një papërgjegjshmëri dhe tregti me jetën e një fëmije, duke qenë se i kryen një operacion si me urgjencë nga ora 10:00 në mëngjes që ishte planifikuar, por e bënë në orën 19:30 të darkës, duke qenë se doktori i huaj që bëri ndërhyrjen duhet të iki këtë të martë në Greqi ku gjithashtu punon.
Ju lutem bëjini një tribut Blertës, e cila nuk jeton më vetëm për një operacion në gju dhe hetoni apo pasqyrojeni si lajm pasi është tepër e rëndë, besoj për të gjithë Shqipërinë që një gjeni e vogël si Blerta, të humbë jetën nga vetëm një ndërhyrje në gju, kur na ishin dhënë të gjitha garancitë që çdo gjë do shkonte mirë nga spitali”, shprehet daja i vajzës.
Ai i ka kujtuar kryeministrit të vendit që fëmija vdiq në spital privat, se shteti nuk i kishte ofruar asnjë ndihmë. “Si i pari i qeverisë të kërkoj të bëhet çdo gjë që drejtësia të vihet në vend, pasi ajo vdiq nga babëzia e eurove të spitaleve private e të shtetit, që nuk u interesua që ta mundësojë shërimin, pasi në Ministri të Shëndetësisë dhe të Arsimit u tha (u vra në gju në orën e fiskulturës tek shkolla “Çajupi”) dhe përgjigjia ishte: “sa fëmijë vriten në ditë në shkollë nuk i ndihmojmë dot. Duam drejtësi”, shkruan daja i vajzës 16-vjeçare.
Ndërkohë, kryeminsitri i vendit jo vetëm që nuk ka reaguar për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në spital, por në një status në Facebook shkruan, se “shëndetësia ka ndryshuar në 3 vjet e gjysëm” duke shkruajtur edhe frazën e rëndomtë, “kemi edhe shumë për të bërë”. Postimi shoqërohet nga një video gjatë inspektimi të djeshëm të spitalit rajonal të Shkodrës. Ndërsa shqiptarët nuk dinë se në cilin spital ta përplasin kokën qoftë edhe për një operacion të lehtë, vetëm Rama nuk e ka për gjë të postojë në të njëjtën ditë mashtrimet e tij elektorale.

Tritan Shehu: E pandershme të denigrosh mjekun për një tragjedi pa fajtor

Deputeti i PD, Tritan Shehu, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit, në një reagim në rrjetet sociale shkruan se, është e pandershme të denigrosh mjekun për vdekjen e 16-vjeçares, Blerta Pepa në një spital privat. Tefik Zhurda është mjeku anestezist i cili asistoi në operacionin e 16-vjeçares, ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi tentoi vetëvrasjen me overdozë medikamentesh, ndërsa Shehu shprehet se është e pandershme të denigrosh mjekun për një tragjedi pa fajtor.
“Po shkruaj këto rreshta si Profesor i Anestezi-Reanimacionit e Kryetar i asaj shoqate shqiptare, përpara se të dalin konkluzionet zyrtare të ekspertizës për tragjedinë që ndodhi sot në një sallë operacioni të Tiranës.
E bëj këtë i indinjuar nga të gjithë ata që pa u menduar po hedhin “baltë” mbi mjekun anestezist, i cili për hir të ndërgjegjes së lartë të tij, po lufton këto orë me vdekjen.
Së pari, dua t’i shpreh dhimbjen e thellë e ngushëllimet e mia familjarëve të vajzës së re, që humbi jetën sot.
Më tej dua të sqaroj disa detaje paraprake teknike, pikërisht për të hequr “baltën” e qetësuar sado pak dhimbjen:
Fatkeqja sot gjatë një interventi ortopedik pësoi një komplikacion anestetik të rëndë e me mortalitet shumë të lartë kudo në botë, hipertermi malinje.
Ky ndërlikim është pothuaj i pa mundur të para diagnostikohet e të parandalohet; ai vjen nga një çlirim masiv energjish termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave të anestezisë. Fatmirësisht është një ndërlikim shumë i rrallë në subjekte me probleme të lindura, por që në jetën normale nuk kanë asnjë shqetësim.
Theksoj se ky ndërlikim nuk lidhet me gabime njerëzore, anestetike, dozime të substancës etj., si dikush pa përgjegjësi ka thënë sot; është pothuajse një fatalitet.
Dhe kjo ndodhi sot; fatkeqësisht gjendja nuk u dominua dot, me gjithë ndihmën reanimatore komplekse të zbatuar nga mjeku anestezist.
Sidoqoftë le të presim përfundimet e ekspertizës mediko-legale, për të bërë konkluzionet përfundimtare.
Por ndërkaq pa denigruar personalitetin e mjekut përkatës, i cili si pasojë e traumës psikologjike dhe e dhimbjes ka tentuar vetëvrasje, ai është midis jetës e vdekjes.
PS. Kolegu përkatës është një mjek me përvojë e dije të plota, me koshiencë të lartë civile e përgjegjësi profesionale, gjë e cila e shtyu edhe drejt atij akti ekstrem.
I uroj shërim të shpejtë kolegut tonë!”, përfundon reagimi i Tritan Shehut.

R.POLISI

Exit mobile version