Humb jetën një 6-vjeçar në spital, dyshohet nga gripi

Një fëmijë gjashtë vjeçar me origjinë nga Kukësi, por banues në Sauk, me iniciale A.Z., ka humbur jetën ditën e djeshme për shkaqe ende të pa konfirmuara në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Dushimet e mjekëve mësohet se janë lidhur me një problem në zemër që mund të ketë patur vogëlushi dhe që më pas i ka shkaktuar atij vdekjen, por nga veprimet, policisë i rezulton se ka qenë gripi ai që i ka marrë jetën gjashtë vjeçarit. Në dosjen që policia i ka dorëzuar Prokurorisë, shkruhet se fëmija është shtruar në QSUT në datë 12 janar dhe një ditë më pas ka ndërruar jetë në reanimacionin e Pediatrisë.
Me kërkesë të familjarëve, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë i shkaktoi vdekjen fëmijës gjashtë vjeç. Nga veprimet e kryera deri më tani, policia dyshon se vdekja ka ardhur për shkak të komplikacioneve nga gripi, megjithatë do pritet vendimi përfundimtar i Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Deri tani janë shkaktuar katër viktima nga gripi. Një 76-vjeçar me inicialet S.K. ka humbur jetën dy ditë më parë si pasojë e virusit të gripit të stinës AH3N2. Komplikacionet e këtij gripi, siç theksojnë edhe mjekët pneumologë, mund të shkaktojnë pasoja fatale për jetën, ku më të rrezikuarit mbeten ata që vuajnë nga sëmundjet pneumoni kronike, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Sivjet, periudha e gripit ka qenë e parakohshme, pasi zakonisht “piku” regjistrohet në muajt janar, shkurt dhe mars.

Artikulli paraprakSërish lëkundje të tokës në Elbasan, banorët në panik
Artikulli tjetërDrejtori i Doganës aksidenton 3 familjarë në Berat dhe lihet i lirë