Dy vajzat e një pacienti që ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv, kanë bërë një deklaratë tronditëse. Vajzat shprehen me zë dhe me figurë, se u janë kërkuar para që babanë ta nxirrnin nga Infektivi në mënyrë që ta çonin në një spital jashtë vendit.
Vajzat e Rifat Lalos shprehen për Fax News se, kanë prova që vërtetojnë se babait të tyre nuk i është bërë as skaner dhe nuk i është dhënë asnjë trajtim mjekësor.
“Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, ndërsa babai thoshte të kundërtën. Ai kërkonte të dilte nga spitali, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe na treguan që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.
Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai kërkonte me ngulm që të dilte nga spitali. Nuk kam për t’ia falur kurrë vetes, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë. Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak.
Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë”, u shprehn dy motrat.