Humbin jetën fëmija 3 vjeç dhe dy gra nga gripi

Një fëmijë 3 vjeç dhe dy gra kanë humbur jetën ditën e djeshme nga virusi i gripit. Mësohet se 3-vjeçari me inicialet B.Z, humbi jetën pasi ishte prekur nga virusi i gripit stinor A. Po sipas këtyre burimeve, ai ishte shtruar disa herë në Urgjencën e Lezhës dhe më 15 janar u transferua në Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’.
Prej një jave, i mituri ishte me temperaturë, ethe dhe kollë. Gjithashtu ministria bënë me dije se edhe familjarët e tij kanë kaluar sëmundje respiratore. Ky është rasti i pestë i personave që kanë ndërruar jetë nga virusi i gripit, i cili prej disa kohësh ka prekur mbi 18 mijë persona.
Mjeku i Spitalit të Lezhës, Kastriot Kolmarku, i cili trajtoi djalin 3 vjeç që fatkeqësisht humbi jetën pasi ishte prekur nga virusi i gripit, ka treguar detaje nga gjendja shëndetësore e të miturit.
Në një prononcim Kolmarku pohoi se në datën 15 janar i mituri është sjellë nga prindërit e tij në spital, pasi kishte pasur të vjella dhe temperaturë. Ai shton më tej se, pasi u trajtua në Urgjencën e Spitalit, djali u dërgua më pas në shtëpi, ndërsa iu rekomandua sërish të paraqitej në darkë. Mjeku theksoi se 3-vjeçari me inicialet B.Z., u paraqit në spital një ditë më vonë, në gjendje të rëndë për jetën.
Po ditën e djeshme u raportua për vdekjen edhe të dy pacientëve të tjerë. Pacientja S.S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në Shërbimin Infektiv, dhe më tej në Reanimacionin e Spitalit Rajonal të Vlorës në datë 01.01.2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile”. ka ndërruar jetë në datë 14.01.2017.
Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A. Po kështu. pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në Spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.
Ka shkuar në 7 numri i personave që kanë ndërruar jetë nga virusi i gripit, i cili prej disa kohësh ka prekur mbi 18 mijë persona.

Artikulli paraprak10 vite burg për autorin vrasjes në aksident
Artikulli tjetërFshati Golem në Gjirokastër dy ditë i izoluar nga bora