Koalicioni i Kryeministrit italian, Matteo Renzi ka pësuar humbje të rëndësishme në zgjedhjet lokale. Lëvizja e re populiste “5 Yje” fitoi në Romë dhe Torino, duke zgjedhur madje në Romë gruan e parë kryetare bashkie në historinë e qytetit. Fushata e lëvizjes është bazuar në protesta kundër korrupsionit në mbarë vendin.
Juristja Virginia Raggi mundi Roberto Giachettin, kandidatin e preferuar të Kryeministrit Matteo Renzi, me një raport votash pothuajse dy me një. 37-vjeçarja Raggi përfaqëson Lëvizjen populiste “5 Yje” (M5S), të krijuar vetëm shtatë vjet më parë nga komediani Beppe Grillo.
Zonja Raggi kishte bërë fushatë për t’i dhënë fund korrupsionit në kryeqytetin italian dhe për të përmirësuar formën e keqe të shërbimeve publike në mbarë Romën. “Do të punojmë që t’u sjellim institucioneve ligjshmëri dhe transparencë. Pas 20 vitesh keqmenaxhimi dhe pas daljes së aferave të mafias, parimet janë zhdukur”.
Lëvizja është shndërruar në partinë kryesore opozitare përballë koalicionit të qendrës së majtë të Kryeministrit Renzi dhe rezultati shikohet si një ndëshkim paralajmërues i qytetarëve italianë ndaj qeverisjes.
Ndër 100 qytetet që morën pjesë në zgjedhjet lokale italiane ditën e dielë, Roma përfaqëson mbi një të katërtën e popullsisë së vendit.
Virginia Raggi u zgjodh kryebashkiakja e kryeqytetit italian, Romës, me 67 për qind të votave. Ajo është e para kryebashkiake femër e Romës. Ndërkohë në Torino, Chiara Appendino fitoi me diferencë kundër Piero Fassinos të Partisë Demokratike, që ishte kryebashkiaku aktual i Torinos.
Lëvizja “5 Yjet” njihet për qëndrimin e saj euroskeptik dhe luftën kundër partive të mëdha tradicionale italiane. Fitorja e përfaqësuesve të “M5S” në dy prej bashkive më të rëndësishme të Italisë pritet të lëkundë pozitat e Kryeministrit Renzi dhe Partisë Demokratike.
Kjo parti po e shfrytëzon zemërimin e popullatës rreth korrupsionit të përhapur në Itali për të fituar përkrahje popullore.
“Një epokë e re po fillon me ne”, ka thënë Raggi, e cila ka fituar 67% të votave. Kryeministri Renzi është ngushëlluar nga fitorja e partisë së tij të qendrës së majtë (Partia Demokratike) në kryeqytetin financiar italian, Milano dhe në qytetin verior të Bolonjës.
Kryeministri italian kishte paralajmëruar se nuk do të japë dorëheqje pavarësisht rezultatit, ndërsa tërë fokusin e ka vendosur në referendumin që pritet të mbahen rreth një reforme kushtetuese të propozuar nga ai.
Renzi ka ardhur në pushtet në vitin 2014 duke premtuar rivitalizimin e Italisë, por ai nuk ka arritur të tregojë rezultate të kënaqshme. Qeveria e tij është tronditur edhe nga skandalet e shumta në sektorin bankar.