Humbje minimale e Kosovës

Kosova ka humbur në Maksimir nga Kroacia me rezultat minimal, me golin që në minutën e 74-t e shënoi mbrojtësi Domagoj Vida. Ndeshja e rrethit të shtatë kualifikues ishte ndërprerë të shtunën në minutën e 21-të për shkak të terrenit të rënduar nga shiu dhe kishte vazhduar të dielën me insistimin e FIFA-s. Kroacia u mundua gjatë tërë ndeshjes nëpër një fushë të rëndë kundër një Kosove, e cila tregoi që ka bërë progres nga ndeshja e kaluar, kur ishte mposhtur në Shkodër 6:0.
Ishin futbollistët e trajnerit Çaçiç që thuajse gjatë tërë ndeshjes kishin iniciativën, megjithatë përveç fitores nuk kishin asgjë më shumë se Kosova, sidomos në 45 minutat e para. Kosova u mbrojt me një disiplinë të madhe, derisa kroatët në pjesën e parë nuk krijuan asnjë rast të vetëm. Në pjesën e dytë Kroacia ishte diçka më e mirë, por Kosova po vazhdonte të mbrohej fort me dyshen Jashanica–Rrahmani që po funksiononte mjaft mirë. Ishin Perisiç, Pivariç, Manxhukiç dhe Kramariç që patën disa raste, por jo aq të pastra sa të rrezikonin seriozisht Ujkanin. Edhe Kosova pati rastet e saj, sidomos me Valon Berishën, goditja e të cilit përfundoi mbi portë. Dhe më pas erdhi momenti i golit të shumëpritur.
Trajneri i Kroacisë futi në lojë Kramariçin dhe Kaliniçin, të cilët së bashku me Manxhukiçin duhet ta shënonin atë golin e fitores. Dhe mu atëherë goli erdhi. Por goli nuk erdhi nga sulmuesit, shpëtimtari i selektorit Çaçiç ishte një mbrojtës. Modriç nxori një faull, të cilën vetë e ekzekutoi duke gjetur kokën e Domagoj Vida, i cili realizoi golin e tri pikëve të mëdha të Kroacisë. Ky ishte moment i vetëm kur mbrojtja e Kosovës u shpërqendrua dhe kroatët normalisht që e dënuan. Pas shtatë ndeshjeve, tri xhiro para fundit të eliminatoreve për Botërorin Rusi 2018, Kosova mbetet e fundit në Grupin I me vetëm 1 pikë.
Me fitoren kundër Kosovës, Kroacia rikthehet në vendin e parë me 16 pikë, dy më shumë se e dyta Ukraina. E treta është Islanda me 13 pikë, derisa Turqia është e katërta me 11 pikë dhe me shumë pak gjasa të jetë në Botërorin e Rusisë. Kundërshtari i ardhshëm i Kosovës, Finlanda është e pesta me 4 pikë të tubuara. Pas 48 orëve Kosova ka një ndeshje tjetër të rëndësishme. Në Shkodër vjen Finlanda ndaj të cilës pretendojmë të arrijnë fitoren e parë, derisa Kroacia në Eskishehir përballet me Turqinë, e cila me një tjetër humbje do t’i thoshte definitivisht lamtumirë Botërorit të ardhshëm.

Exit mobile version