Humbje të rënda për Korenë e Veriut në Ukrainë, qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur

Më shumë se 1000 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë ose plagosur në luftën në Ukrainë, sipas vlerësimeve të publikuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Koresë së Jugut (JCS).

 

Kujtojmë se Pheniani ka dërguar mijëra ushtarë për të përforcuar ushtrinë ruse, duke përfshirë rajonin kufitar të Kurskut, ku forcat ukrainase pushtuan territorin në fillim të këtij viti.

Sakaq as Rusia dhe as Koreja e Veriut nuk e kanë pranuar zyrtarisht vendosjen e trupave.
Megjithatë, një deklaratë e autoriteteve të Koresë së Veriut e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se aleanca e vendit me Moskën “parandalon SHBA-në të zgjerojë me keqdashje ndikimin e Perëndimit”.

Vlerësimet e viktimave dhe planet e Phenianit

“Nëpërmjet burimeve të ndryshme të inteligjencës, ne vlerësojmë se trupat e Koresë së Veriut që janë angazhuar kohët e fundit në luftime me forcat ukrainase kanë pësuar afërsisht 1,100 viktima”, tha JCS në një deklaratë.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për mundësinë e dislokimeve shtesë të trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë”, shtoi JCS.

Thuhet se Pheniani po “përgatitet për rotacionin ose vendosjen shtesë të trupave”, tha JCS.

Inteligjenca tregon gjithashtu se Veriu i armatosur me armë bërthamore po “prodhon dhe furnizon dronë vetëshkatërrues” për Rusinë për të ndihmuar më tej Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës, shtoi ai.

Siç vunë në dukje autoritetet ushtarake të Seulit, Koreja e Veriut synon të modernizojë aftësitë e saj konvencionale të luftës bazuar në përvojën luftarake në luftën Rusi-Ukrainë.

Exit mobile version