Hungaria voton ligjin “Stop Sorosit”

 

Parlamenti i Hungarisë do të votojë këtë javë projekligjin e ashtuquajtur “Stop Soros”, pa pritur komentet e një paneli të ekspertëve ligjorë, ka njoftuar ministri i Jashtëm i këtij shteti Peter Szijjarto, transmeton Reuters.
Votimi pritet të zhvillohet ditën e mërkurë derisa Komisioni i Venecias do të prezantojë të gjeturat e tij ditën e premtë.
I pyetur në një konferencë për media në Stokholm, për atë nëse seanca për votim do të mbahet pa komentet e Komisionit, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto ka thënë se “po, do të ketë seancë votimi nesër dhe grupi ynë parlamentar do të votojë në favor të propozimit”.
Projektligji, i cili do t’i jipte autoritet ministrit të Brendshëm për të ndaluar veprimtaritë e organizatave qeveritare që mbështesin migrimin dhe shihen si rrezik për sigurinë kombëtare, është pjesë e fushatës qeveritare kundër Gerge Sorosit.
Armiku i preferuar i kryeministrit hungarez Viktor Orban quhet George Soros. Sipas pikëpamjes së Orbanit, miliarderi i SHBA me origjinë hungareze e hebreje ka në plan që të shkatërrojë kulturën e krishterë të Evropës dhe të shkatërrojë kombet evropiane. Për këtë synim sipas Orbanit, Sorosi mbështet invazionin e kontinentit nga miliona migrantë myslimanë. “Plani Soros” kështu e quan kryeministri hungarez projektin e supozuar.
Tani qeveria e Hungarisë shkon edhe një hap më tej: ajo do të miratojë një të ashtuquajtur paketë ligjore “Stop-Soros”, siç bëri të ditur të mërkurën në Budapest ministri i Brendshëm, Sandor Pinter.

Taksa ndëshkuese, detyrim për regjistrim
Paketa ligjore e qeverisë drejtohet kundër organizatave të shoqërisë civile (NGO) – një nga instancat e fundit funksionuese të kontrollit të pushtetit në Hungari. Ajo përbëhet nga tri përcaktime:
– Të gjitha NGO-të, të cilat kontribuojnë në ndonjë formë për “migrimin ilegal” duhet të regjistrohen në gjykatë dhe të paraqesin rregullisht raporte për aktivitetin e tyre.
– NGO-të që kanë të bëjnë me “migrim ilegal” dhe që marrin më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre nga bota e jashtme, duhet të paguajnë për këto të ardhura një taksë ndëshkuese prej 25 përqind.
– Qytetarëve hungarezë, të cilët dyshohen se e mbështesin “migrimin ilegal”, mund t’u ndalohet hyrja në një shirit prej tetë kilometrash në kufirin e jashtëm të Shengenit; qytetarëve të huaj, të cilët janë nën të njëjtin dyshim, mund t’u ndalohet hyrja në Hungari.
Po t’i miratojë këto përcaktime Parlamenti, Hungaria largohet edhe më tej nga sundimi i ligjit dhe vlerat bazë evropiane dhe u afrohet rrethanave represive si në Rusi, mendojnë vëzhguesit kritikë. “Unë dyshoj që këto përcaktime janë në përputhje me kushtetutën dhe me marrëveshjet bazë evropiane”, thotë në bisedë me DW politologu Attila Tibor Nay nga Instituti Méltányosság. “Në një shtet juridik, organizatat civile duhet të funksionojnë lirisht. Por përmasa e tatimit është kaq e madhe, sa një punë e lirë e këtyre organizatave nuk është më e garantuar.”

Exit mobile version