Hushi, kandidati i Ramës për deputet i bashkohet protestës

Ish-kandidati i Ramës për deputet të PS në Kavajë, tenori i mirënjohur në skenat botërore, Agim Hushi i është bashkuar protestës në “Sheshin e Lirisë” së bashku me artistë të tjerë të njohur. Ai i ka bërë thirrje të gjithë atyre që mendojnë ndryshe që të bashkohen me protestën. “Eshtë pikërisht këtu vendi për t’u dhënë zgjidhje”, tha Hushi.
Tenori Agim Hushi konkuroi në qytetin e Kavajës përballë ish-Kryeministrit Berisha në zgjedhet e vitit 2013. Që nga ajo kohë Hushi është identifikuar me të majtën, ndërsa dje mesazhi i tij ka patur një kuptim krejt të ndryshëm. Protesta e opozitës sot ka tejkaluar në të vërtetë opozitën dhe të majtët po i bashkohen kësaj proteste, duke provuar se ajo është kthyer në një lëvizje mbarëpopullore.
Kësaj proteste i janë bashkuar eksponentë të ndryshëm të së majtës gjatë këtyre ditëve. Që në ditën e parë të protestën në çadrën e qendrës ishte ish-deputeti tjetër i PS, Pëllumb Shullazi, ndërsa ish-ministri socialist Harasani bëri një thirrje publike në drejtim të opozitës që protesta e opozitës të mos ndalet deri në rrëzimin e qeverisë.
Pasditen e ditës së shtatë të protestës në “Sheshin e Lirisë”, Lulzim Basha bashkëbisedoi me artistët Agim Hushi, Raina Kovaçi, Edmond Zhulali dhe Agim Doçi lidhur me presionin dhe padrejtësitë në vendin e punës. Artistët me radhë treguan përjetimet e tyre në fushën e krijimtarisë artistike të minuar nga mungesa e meritokracisë.
Për kryetarin Basha, qeveria e sotme i ka dhënë provat me kohë për vlerësimin për kriminelët dhe për goditjen dhe gjunjëzimin e njerëzve të vlerave.
“Për Ramën nuk mjaftojnë provat për Armando Prengën, sepse e do Parlamentin me plehra. Nuk do asnjë provë për të hequr Zhulalin, Raina Kovaçin, vajzën e Ramiz Kovaçit. Asnjë provë për të përbuzur intelektualët. I vetmi faj i tyre është që nuk i mbushin dot xhepat e Ramës me para”.
Raina Kovaçi falënderoi për mundësinë e ngritjes së shqetësimeve në atë që e quajti kuvend të hapur.
“Mënyra e shkarkimit tim nga vendi i punës vjen si pjesë e metodave aq demode të kësaj qeverie, të cilët edhe pse të harruara prej kohe, tani na kujtojnë kohët e errëta të atij regjimi të errët që kaloi Shqipëria. Jam munduar të çoj përpara emrin e Shqipërisë. Kur punova në RTSH u përpoqa ta ktheja dhe ta përmirësoja imazhin e vendit tim, por gjithë kjo punë nuk vlejti. Pas gjithë këtij mundimi më erdhi shkresa nga punëdhënësi. Jam shumë e indinjuar për këtë që më ndodhi dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë shqiptarët që të vijnë dhe të tregojnë problemet e tyre”.
Kryetari Lulzim Basha tha se edhe kur vjen puna tek arti, kjo qeveri nuk heq dorë nga aferat dhe fasadat.
“Afera e Operës është një tjetër aferë që po luhet. A e dini sa shpenzon qeveria për fasadën e Operës? 10 milionë euro. Financon fasadat dhe vret shpirtin e operas që janë artistët”.
Edmond Zhulali e quajti protestën shtatë ditore të thirrur nga opozita si një lëvizje historike në funksion të votës së lirë, ku problemet e shqiptarëve marrin zë.
“Jam këtu për të protestuar ndaj asaj pseudo reformë të nisur në RTSH, që nisi me largimin e tre muzikantëve që kanë dhënë një kontribut shumë të madh në televizionin shqiptar. Sot, të gjithë janë nën frikën e largimit nga puna për shkak të kësaj reforme, e cila nuk ka bazë profesionale. Njerëzit duhet të vijnë këtu për të mbrojtur veten e tyre. Natyrisht që këtë lëvizje do e udhëheqë një forcë politike, por kjo i ka kaluar përmasat partiake. Artistët bashkojnë gjithë shqiptarët. Ne artistët nuk jemi as të majtë e as të djathtë dhe është një privilegj që duhet ta shfrytëzojmë”.
Tenori me famë botërore Agim Hushi, tha se t’i bashkohesh protestës qytetare sot, nuk i jep vetes ngjyrim partiak, por kombëtar.
“Unë sot nuk përfaqësoj ato qindra mijëra që mbushën sheshin në 18 shkurt. Unë sot përfaqësoj atë pjesë të njerëzve që mendojnë se 18 shkurti vazhdon dhe do të vazhdojë me misionin e asaj që zoti Basha dhe partia e tij i ka vënë si synim qytetarisë shqiptare”.
Ftesën Hushi ia drejtoi të gjithë shqiptarëve. “Ftoj të gjithë ata që politikisht mendojnë ndryshe që të kuptojnë se sado të mëdha të jenë arritjet që demonstrohen nga pushteti i sotëm, ato të meta me të cilët shqiptarët ndeshen çdo ditë, është pikërisht këtu vendi për t’u dhënë zgjidhje. Kultura ka rënë në duar mjerane, kultura ka rënë në duart e atyre që janë pasionant të flasin për veten e tyre, por duke harruar ata që vërtetë bëjnë kulturën”.

Artikulli paraprakTrump në krye të lëvizjes konservatore
Artikulli tjetërNe jemi në luftë me organizatën e krimit