Jahmir Hyka sërish në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Mesfushori shqiptar po përjeton një moment të shkëlqyer në Superligën zvicerane. Pasi u përzgjodh nga lexuesit e gazetës prestigjioze “Blick” si futbollisti më i mirë i muajt mars në kampionatin helvet, Hyka është përfshirë nga kjo edhe përditshme edhe në 11-shen më të mirë të javës së 32-të. 28-vjeçari kryeqytetas ishte padiskutim lojtari më aktiv në fushë për Lucernën në sfidën që skuadra e tij zhvilloi ndaj Vaduzit të Armando Sadikut dhe Albion Avdijajt.
Falë Hykës formacioni i trajnerit Markus Babbel arriti të përmbyste disavantazhin 1-0 të pjesës së parë, duke triumfuar me shifrat 1-2, një fitore kjo që mbajti gjallë shpresat e Lucernës për t’u kualifikuar në Europa League për sezonin e ardhshëm. Hyka në pjesën e parë pati një mundësi të mirë për t’i dhënë avantazhin të tijëve, por me një parabol të ulët nuk gjeti dot kuadratin e portës. Një gabim i portierit të miqëve në largimin e topit u shfrytëzua në maksimum nga vendasit me Janjatoviç që kaloi në avantazh Vaduzin në minutën e 35-ën.
Sadiku nga ana tjetër pati shansin e artë për të dyfishuar avantazhin e skuadrës nga Lihtenshtejni, por tentativa e tij në fillimin e pjesës së dytë u ndal nga portieri Zibung. Kaq mjaftoi që Hyka të merrte për dore të tijët dhe të udhëhiqte Lucernën drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në derbin e shqiptarëve. Në minutën e 62-të, 28-vjeçari, pasi kombinoi shumë bukur me një shok të ekipit u pengua brenda zone. Arbitri nuk kishte dyshime penallti për Lucernën dhe kartoni i kuq për futbollistin e Vaduzit Von Niederhausen, i cili ndali Hykën në rrugën e tij drejt golit. Jantscher realizoi 11-metërshin, ndërkohë që me një lojtar më shumë në fushë Lucerna e kishte më të thjeshtë dhe arriti të gjente edhe golin e epërsisë me Schneuwly në të 86-ën. Falë paraqitjeve të tij në muajt e fundit Jahmir Hyka është duke i dhënë sinjale të rëndësishme trajnerit të Shqipërisë, Gianni De Biasi për ta grumbulluar në Euro 2016.