Duket se nuk kanë të mbaruar ditët e shkëlqyera për Jahmir Hykën në këtë sezon. Pasditen e të hënës skuadra e tij Luzern mori një fitore të madhe në shtëpi ndaj kampioneve të Basel dhe fantazisti 27-vjeçar ishte protagonisti kryesor në këtë fitore. Fillimisht avantazhi i vendasve erdhi me anë të një goli nga Shneuvli në minutën e 7-të, ndërsa 4 minuta më pas, Hyka u pengua brenda zonës, duke fituar një penallti që u shndërrua ne gol nga Jançer. Fillimi i pjesës së dytë solli edhe supergolin e Hykës me një goditje me shumë finese në hyrje të zonës. Ky ishte goli i 7 sezonal për Hykën, 4 në kampionat dhe 3 në Kupën e Zvicrës, ndërsa ai ka qenë protagonist gjatë këtij sezoni edhe me 6 asist dhe 5 penallti të fituara.
Kështu pas këtij suksesi, por dhe barazimit te Sion e humbjes së Grasshopers, Luzerna e Hykës është ngjitur në vendin e 3-të, duke qenë shumë pranë kualifikimit për në Europa League sezonin e ardhshëm. Më herët me fillimin e kësaj ndeshje, Hyka u vlerësua edhe me 2 çmime personale, fillimisht ai mori çmimin si lojtari më i mirë i Superligës zviceriane për muajin mars, çmim i dhënë nga gazeta “Blik”, por edhe si lojtari më i mirë i sezonit 2015-2016 tek Luzern, çmim të cilin e fiton për herë të 3-të në 5 sezone tek kjo skuadër. Forma e mirë që po kalon mesfushori nga kryeqyteti është edhe një mesazh i qartë për trajnerin Xhani te De Biazi, i cili e ka lënë në hije gjatë eleminatoreve të fundit, duke mos e përfshirë në skuadër, por Hyka po jep sinjale të qarta se meriton të jetë pjesë e kombëtares.