Hyka prezantohet me numrin 10 te San Jose

Jahmir Hyka prezantohet me numrin 10 te San Jose Earthquakes në MLS. Fantazisti shqiptar, i cili u largua nga Luzerna gjatë merkatos së dimrit konsiderohet si një nga blerjet më të goditura të skuadrës amerikane dhe që do t’i japë një tjetër impuls fazës sulmuese, ndaj dhe i është rezervuar fanella me numrin më të preferuar, më të vlerësuar dhe më të kërkuar në një skuadër futbolli. Një detaj ky shumë i rëndësishëm për pritshmëritë që kanë te skuadra kaliforniane për lojtarin shqiptar.
Në “Avaya Stadium” të qytetit San Hose, teksa u zhvillua një takim miqësor, në tabelën e madhe elektronike i urohej mirëseardhja shqiptarit, i cili kërkon të jetë sa më shpejt gati për fillimin e sezonit të ri në muajin mars.
Sikurse i njoftua që më 11 janar, Hyka firmosi me San Hose Earthquakes një kontratë 3-vjeçare, me një pagë vjetore 500 mijë dollarë, plus bonuset. Sezonin e shkuar San Jose u rendit në vendin e 9-të në Konferencën e Perëndimit, duke zhvilluar një kampionat të dobët, mirëpo me ndërhyrjet në merkato, ku përfshihet edhe afrimi i Hykës, kjo skuadër do të futet me ambicie të tjera në garë.

Exit mobile version