Hysaj “çmend” tifozët dhe shpreson te titulli

Elseid Hysaj mbetet një prej lojtarëve të preferuar te Napoli. Mbështetësit e skuadrës nuk mungojnë as në Dimaro, aty ku ekipi i drejtuar nga Sarri po zhvillon fazën përgatitore. Pas stërvitjes, mbrojtësi shqiptar dhe Tonelli ndaluan të takonin fansat. Hysaj dha autografe dhe u fotografua me tifozët e shumtë në numër. Entuziazëm dhe emocione për takimin me kuqeziun, ndërsa kishte edhe nga ata që kërkonin të mësonin më tepër rreth objektivave të skuadrës dhe për ambiciet drejt titullit.
“Të shpresojmë”. Kjo ishte fjalia e shkurtër me të cilën Hysaj iu përgjigj pyetjes së një tifozi, nëse Napoli mund ta fitojë titullin kampion në Serinë A gjatë edicionit të ardhshëm. Një objektiv të cilin Elsi nuk e ka fshehur asnjëherë. Madje, në grumbullimin e fundit me Kombëtaren, mbrojtësi shkodran deklaroi me siguri se të paktën edhe këtë sezon do të luajë te Napoli, për të fituar trofe dhe vetëm më pas do të shqyrtojë opsionet rreth së ardhmes.

Artikulli paraprakLazio konfirmon Strakoshën titullar
Artikulli tjetër“Inzaghi nuk bëhet trajner i Shqipërisë”