Hysaj: Dua vendin e dytë me Napolin

Elseid Hysaj kërkon vendin e dytë në kampionat. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe i Napolit ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka deklaruar se objektivi i tij dhe i skuadrës për të cilën ai luan është vendi i dytë në Seria A. Sipas Hysajt kjo dëshirë është e realizueshme, pasi ekipi i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme në përmbushjen e kësaj detyre. “Vendi i dytë në kampionat është objektiv i qartë në kokat e të gjithëve ne futbollistëve që luajmë për Napolin. Të paktë janë ata që e besojnë se në fund të garës do ta arrijmë, por unë besoj fort se gradualisht do të lëmë Romën pas. Po kalojmë një moment të mirë dhe besoj se deri në fund do të vazhdojmë kështu”, u shpreh Hysaj.
Shkodrani foli dhe për dëshirën që ka ekipi për të fituar titullin kampion në Itali. Sipas Hysajt kjo është dëshira e një qyteti të tërë dhe ai së bashku me shokët e skuadrës, do të tentojnë që sezonin e ardhshëm këtë ëndërr ta bëjnë realitet. “Titulli kampion është një dëshirë e të gjithëve, e jona si futbollistë dhe e tifozëve të Napolit. Me këta të fundit unë kam një raport shumë të mirë, kam mbështetjen e tyre. Do të ishte bukur t’i bënin një dhuratë të tillë, pasi ky qytet di të dhurojë emocione të mëdha”, përfundoi Hysaj.

Exit mobile version