Elseid Hysaj e festoi me një fitore të pastër 3-0 ndaj Nicës 90-vjetorin e themelimit të klubit të Napolit. Në pritje të zyrtarizimit të rinovimit të kontratës me të kaltrit, mbrojtësi shqiptar luajti nga minuta e parë në sfidën e “San Paolos”, ku u shfaq me autoritetin e një futbollisti të nivelit më të lartë. Trajneri Maurizzio Sarri e mbajti në fushë lojtarin kuqezi deri në minutën e 57-të për ta zëvendësuar më pas me Maggion.
Në fakt të gjithë golat e ndeshjes u shënuan gjatë pjesës së parë, me Hysajn në fushën e blertë. Në minutën e 9-të Kulibaly kërceu bukur me kokë pas krosimit të Valdifiorit, duke zhbllokuar rezultatin. Në të 25-tën Mertens i çoi shifrat në 2-0, ndërsa dy minuta më pas Kulibali realizoi golin e dytë personal të kësaj mbrëmjeje festive, gjatë së cilës nuk munguan videomesazhet nga yje të shkuarës, por edhe thumbimet e 20 mijë të pranishmëve në drejtim të Gonzalo Higuain, që u transferua te Juventusi për 90 milionë euro.