Hysaj flet për autogolin

Elseid Hysaj e ka harruar autogolin që shënoi me Napolin në fundjavën që lamë pas dhe e kujton me humor atë moment. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, mbrojtësi i kombëtares shqiptare thotë se e pret me padurim momentin që do të luajë kundër Kristiano Ronaldos dhe Realit të tij.
“Kishte ardhur koha që të shënoja edhe unë një gol, por gabova portën. E rëndësishme është që e përmbysëm rezultatin dhe morëm një fitore të rëndësishme. Tani duhet të shohim përpara për të realizuar ëndrrat”, tha ai për autogolin.
Hysaj foli edhe për objektivat e Napolit. “Është një vit shumë i bukur dhe ne jemi të përqendruar maksimalisht për të bërë mirë. Është diçka e bukur dhe pozitive që thonë se luajmë mirë, por kjo është falë trajnerit. Jemi duke u rritur në aspektin psikologjik”, tha Hysaj.
“Kur je fëmijë nuk e di nëse duhet të besosh apo jo. Që në momentin kur erdha te Napoli, e dija që kam ardhur në një skuadër të madhe dhe këtu mund t’i bëj ëndrrat realitet”, tha ai.
Në fund Hysaj foli edhe për ndeshjen me Real Madridin në Champions Ligë. “Është një ndeshje shumë e bukur, por do të na japë shumë motivim për të arritur një rezultat pozitiv. Duhet të ëndërrojmë gjithmonë dhe askush s’mund të na ndalë. E rëndësishme është të ringrihesh”, përfundoi Hysaj.

Exit mobile version