Hysaj: Merita është e të gjithëve

Mbrojtësi i kombëtares Elseid Hysaj u shpreh entuziast pas ndeshjes duke deklaruar se merita e fitores është e të gjithëve. “Optimizmi ishte vetëm te ne lojtarët, askush tjetër nuk ka besuar tek ne, por këtë fitore ua dedikojmë të gjithëve. Duhet të bëjmë më shumë dhe të zbatojmë këshillat e trajnerit”, u shpreh Hysaj.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, kemi treguar që jemi një ekip i madh dhe shumë më i fortë se Izraeli. Nuk besoj që kemi probleme. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Jam krenar dhe jam i kënaqur kur vij në kombëtare, dua t’i luaj të gjitha ndeshjet, por është trajneri ai që vendos”, u shpreh Naser Aliji.
Shqipëria ka mposhtur në udhëtim Izraelin, që u zhvillua në “Sammy Ofer”, duke u hakmarrë kështu për humbjen në ndeshjen e parë në shtëpi. Në këtë ndeshje shkëlqeu sulmuesi Armando Sadiku, me dy gola, derisa një tjetër u shënua nga Ledian Memushaj. Goli i dytë që shënoi mbrëmjen e së dielës Sadiku ishte i mrekullueshëm, i cili e festoi atë në një mënyrë të çuditshme.
Për këtë triumf ka uruar edhe mesfushori Taulant Xhaka, i cili vuan mungesën në kombëtare për shkak të konflikteve me trajnerin Gianni de Biasi. Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, Xhaka ka uruar shokët e skuadrës për rezultatin dhe paraqitjen dinjitoze në fushën e lojës. “Urime fitorja!!! Forca Shqipëria! Urime çuna e keni meritu”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Exit mobile version