Klas, dinamikë dhe inteligjencë, faqja zyrtare e UEFA-s i thur elozhe mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, duke e përkufizuar 22-vjeçarin nga Shkodra si një futbollist plot klas, shumë dinamik në fushë dhe mbi të gjitha mjaft inteligjent. Hysaj ishte një nga lojtarët më të dalluar të kombëtares kuqezi në humbjen 1-0 që Shqipëria pësoi ndaj Zvicrës në Lens. Pas daljes me karton të kuq të Lorik Canës, mbrojtësi i Napolit mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit, duke e udhëhequr Shqipërinë në fushë si një lider i vërtetë.
Paraqitja e Hysajt ndaj Zvicrës, por mbi të gjitha edhe përgjatë sezonit futbollistik 2015-2016 me fanellën e Napolit në Serinë A italiane, ka bërë që UEFA të shfaqë në faqen e saj zyrtare vlerësimet maksimale për kuqeziun, vëmendja e të cilit aktualisht është e gjitha te ndeshja e radhës ndaj Francës. Falë formës së mirë që ka treguar gjatë sezonit të fundit për të marrë shërbimet e Elseid Hysajt kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës, ku mbi të gjitha spikasin, Bayerni i Mynihut, Arsenali dhe Barcelona, të cilat janë gati t’i ofrojnë Napolit rreth 20 milionë euro për kartonin e talentit shqiptar.
Edhe pse në një moshë të re, Hysaj mbetet njëri nga futbollistët më të vlerësuar të kombëtares. Ai vjen nga një sezon i suksesshëm me skuadrën e tij të Napolit në Serinë A (vendin e dytë në klasifikim dhe pjesëmarrje në Champions).