Tjetër vlerësim nga UEFA për Elseid Hysjan. Mbrojtësi shqiptar është përfshirë nga qeveria e futbollit europian në listën e talenteve që kanë shkëlqyer në Euro 2016-të dhe që janë garë me njëri-tjetrin për të fituar çmimin e lojtarit të ri më të mirë të turneut. Në këtë listë janë 7 futbollistë, të cilët kanë lindur pas datës 1 janar të vitit 1994. Juria që do të zgjedhë futbollistin që do të fitojë këtë çmim përbëhet nga tri persona me shumë influencë, teksa në krye qëndron drejtori teknik i UEFA-s Ioan Lopescu, ndërsa pjesë e saj janë edhe ish-trajneri legjendar i Manchester United, Sir Alex Ferguson dhe francezi Alain Giresse.
Për të përcaktuar fituesin anëtarët e jurisë do të presin të përfundojnë 51 ndeshjet e Kampionatit Europian. Përfshirja e Hysajt në listën e lojtarëve të rinj që kanë spikatur më shumë në Euro 2016-të vjen pasi mbrojtësi i Napoli zhvilloi tri ndeshje shumë të mira me kombëtaren kuqezi në grupin A. UEFA nuk ka asnjë dyshim teksa e cilëson 22-vjeçarin nga Shkodra si një nga zbulimet e mëdha të Europianit francez.
Falë paraqitjeve të tij në këtë kompeticion, vlera e Hysajt në merkato është rritur ndjeshëm, ndërkohë që për të marrë shërbimet e mbrojtësit të Napolit interesohen disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Gjithsesi janë të pakta shanset që Elseid Hysaj të shpallet lojtari i ri më i mirë i Europianit, kjo për vetë faktin se Shqipëria u eliminua që në fazën e grupeve. Përveç kuqeziut në këtë listë bëjnë pjesë edhe Joshua Kimich që ka fituar vendin e titullarit te Gjermania në krahun e djathtë të mbrojtjes, austriaku Alessandro Schopf, anglezi Eric Dier, sllovaku Ondrej Duda, polaku Arkadiuz Milik dhe mesfushori i Portugalisë Renato Sanches, i cili është edhe favoriti i madh për të fituar çmimin.