Hysaj përjetë tek Napoli

Elseid Hysaj përjetë te Napoli. Ky është përfundimi i marrëveshjes së arritur mes menaxherit të yllit shqiptar dhe drejtuesve të klubit italian, në orët e vona të mbrëmjes së të hënës. Akordi për rinovimin e kontratës së 22-vjeçarit do të ratifikohet me hedhjen e firmës, që duket thjesht një formalitet, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët rreth të gjithë detajeve kontraktuale.
Marrëveshja parashikon rinovimin e kontratës me 5 vjet, plus opsionin për një tjetër sezon, ndërsa klauzola e përcaktuar për shitjen e mbrojtësit shkodran është plot 50 milionë euro. Marrëveshja përmirëson edhe rrogën e Hysajt, e cila është rritur në mënyrë të ndjeshme. Nga 600 mijë euro që përfitonte momentalisht, kuqeziu do të fitojë 1,6 milionë euro në vit, me pagesën që do të jetë në rritje progresive pas çdo sezoni, derisa të arrijë vlerën e 2,3 milionë eurove.
Përmirësimi i kushteve të kontratës së numrit 2 të Napolit dhe kombëtares shqiptare është cilësuar një veprim i natyrshëm, pasi bëhet fjalë për mbrojtësin më të mirë të krahut të djathtë në Serinë A italiane. Elseid Hysaj u transferua te Napoli në verën e vitit 2015 për 5 milionë euro, ndërsa momentalisht kartoni i tij kushton të paktën gjashtë herë më tepër, me klubet e mëdha europiane, si Barcelona, Atletico Madrid, Bayern Munchen apo Arsenal dhe Chelsea që kanë shfaqur interes për shërbimet e mbrojtësit shkodran.

Exit mobile version