UEFA e ka kandiduar si një ndër 7 emrat e përzgjedhur për çmimin lojtari i ri më mirë i Europianit, është padyshim një ndër garancitë e Kombëtares Shqiptare dhe brenda një viti ka 3 fishuar vlerën e tij. Elseid Hysaj verën e kaluar u ble për vetëm 5 milionë Euro nga Napoli, ndërsa tani pas një sezoni me fanellën e kaltër dhe paraqitjes në Francë 2016 me Shqipërinë vlen të paktën 15 milionë. Është folur për interesimin e gjigantëve europianë si Barcelona, Bajern i Mynihut, Arsenal e Atletiko Madrid, por të paktën, duke ju referuar deklaratave të agjentit të tij për mediat italiane është i destinuar që të rinovojë kontratën me Napolin me akordin që mund të arrihet që javën e ardhshme, pastaj të ardhmes në futboll gjithmonë nuk i dihet.
Mario Giuffredi, agjenti i Hysajt deklaroi “Elseid me 99% sezonin e ardhshëm do të luajë me Napolin, dhe të mërkurën do të takohem me drejtorin sportiv Giuntoli për rinovimin e kontratës. Hysaj duhet të evidentohet në Champions League, pastaj nëse do të vijnë oferta të rëndësishme lojtarët duhen shitur, pasi nëpër botë ka të tjerë Higuain dhe të tjerë Hysaj. Nëse vijnë propozime bindëse për klubin dhe futbollistin duhet t’i pranojmë”. Mediat italiane bëjnë të ditur se, Napoli synon që t’i rinovojë sa më shpejt kontratën deri në vitin 2021 dy “xhevahirëve” të skuadrës së kaltër, Hysaj dhe Insigne, ndërkohë që me rishikimin e kontratës është e paevitueshme që klubi italian të bëjë një përmirësim të ndjeshëm financiar në drejtim të futbollistit shkodran.