Elseid Hysaj arrin marrëveshjen me Napolin për rinovimin e kontratës. Mediat italiane dhe më konkretisht “SportItalia” raporton se në takimin e fundit që është zhvilluar mes drejtuesve të klubit të kaltër dhe futbollistit, presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentis ka pranuar kërkesat e menaxherit të mbrojtësit shqiptar, Mario Giufreddi. Në këtë mënyrë Hysaj pas disa javësh pritet të hedhë zyrtarisht firmën mbi kontratën e re që do ta lidhë me Napolin deri në vitin 2021. Nga marrëveshja e re 22-vjeçari nga Shkodra pritet të përfitojë pak më shumë se 1,6 milionë euro në sezon. Falë paraqitjeve të shkëlqyera që dhuroi në sezonin e tij të parë me klubin jugor, Elseid Hysaj tashmë merr si shpërblim një pagë trefish më të lartë se ajo aktualja që nuk e kalon shifrën e 500 mijë eurove. Gjithçka e merituar për kuqeziun, i cili në vetëm pak kohë është shndërruar në një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në qarkullim.
Drejtuesit e Napolit në kontratën të re të lojtarit do të përfshijnë edhe një klauzolë largimi, e cila do të jetë për një shifër shumë të lartë, kjo për faktin se skuadra italiane nuk dëshiron ta humbasë lojtarin shqiptar për të cilin gjatë muajve të fundit kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës. Në ditët e ardhshme do të ketë një tjetër takim mes palëve, ku do të përcaktohen edhe detajet e fundit të marrëveshjes së re. Megjithatë tashmë rinovimi i Elseid Hysaj me Napolin është pothuajse i sigurtë.