Është zyrtare, Hysaj është i Napolit deri në vitin 2021. Një motiv më shumë qetësie për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare para ndeshjes me Lihtenshtejnin dhe asaj me Spanjën. Ndërsa Hysaj ndodhet në grumbullim nën urdhërat e De Biasit, Presidenti i Napolit Aurelioo de Laurentis zyrtarizoi zgjatjen e bashkëpunimit kontraktual me shkodranin nëpërmjet profilit të tij në Twiter ku shkruan, “jam shumë i lumtur t’ju lajmëroj se Hysaj ka rinovuar për 5 vjet”. Lajmi është përcjellë menjëherë nga faqja zyrtare e Napolit ku shfaqet dhe fotoja e Hysajt, ndërsa firmos kontratën e re, natyrisht e realizuar para se 22-vjeçari të grumbullohej me Shqipërinë, dhe mediat italiane që shtojnë se në kontratë parashikohet dhe një opsion për rinovimin automatik të saj deri në vitin 2022.
Nuk jepen ndërkohë zyrtarisht detajet financiare të kontratës, megjithëse faqja e specializuar e merkatos calciomercato.com bën të ditur se Hysaj përfiton një rritje të ndjeshme të pagës së tij dhe do të arrijë të fusë në xhep deri në 3 milionë euro neto në sezon, duke përfshirë këtu dhe bonuset, nga 600 mijë euro që ishte paga e tij vjetore.
Po ashtu, nuk ka një konfirmim zyrtar edhe për sa i përket përfshirjes në kontratë të një klauzole prej 50 milionë eurosh në rast të prishjes së njëanshme të saj, detaj ky që u paralajmërua nga mediat pranë Napolit. Gjithsesi e rëndësishme është se rinovimi i kontratës është një gjest i fortë besimi nga ana e klubit italian për Hysajn me Napolin që mbrohet në këtë mënyrë dhe nga sirenat e merkatos që gjatë kësaj vere e kanë lidhur Hysajn me interesimin e disa prej klubeve më të mëdha Europiane si Atletiko e Madridit, Bajerni i Mynihut apo Arsenal e Chelsea.