Hysaj tek United

Elseid Hysaj mund ta vazhdojë karrierën në një prej klubeve më prestigjiozë të planetit, pavarësisht faktit se rinovoi me Napolin vetëm pak ditë më parë. Edhe pse ka vetëm dy javë që rinovoi kontratën deri në vitin 2021, në dyert e Napolit mund të trokasin për të kërkuar Elseid Hysajn. Sipas mediave britanike, Mançester Junajtid po mendon për ta afruar mbrojtësin shqiptar që në merkaton e janarit.
Një prej portaleve më të ndjekur në Britaninë e Madhe, “Shoot.co.uk” zbulon emrin e shqiptarit në listën e dëshirave të Jose Murinjos. Sipas tabloidit, mbrojtësi shkodran është objektivi i parë i portugezit për krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ai do të kërkojë ta rrëmbejë nga Napoli që në muajin janar. “Hysaj është një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin italian”, shkruan tabloidi që shton se alternativa e 22-vjeçarit shqiptar është Florenzi i Romës. “Ai është vetëm 22 vjeç dhe po luan sezonin e tretë në Serie A. Numëron 43 ndeshje zyrtare me Napolin në të gjitha kompeticionet. Hysaj është një lojtar shumë i shpejtë dhe mund të luajë shumë mirë si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese.
Ai mund të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë të botës gjatë viteve të ardhshme”, shton më tej “Shoot”. Në fund, portali shton se Hysaj do të ishte një armë më shumë në dispozicion të Jose Murinjos, i cili kërkon të ndërtojë një mbrojtje të fortë për sezonet e ardhshme. Klauzola e largimit të shqiptarit nga skuadra e Napolit është vendosur 50 milionë euro pas nënshkrimit të kontratës së re vetëm pak ditë më parë.

Exit mobile version