I arrestuar nga SPAK për 3 vepra penale, nesër zhvillohet seanca gjyqësore për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Nesër do të zhvillohet seancë gjyqësore për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja, i cili u arrestua një ditë më parë me urdhër të SPAK.

Ish-deputeti socialist akuzohet për tre vepra penale: “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.

Lidhur me këtë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Oerganizuar bën me dije se do të shqyrtojë nesër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve dhe nevojave të sigurimit për personin nën hetim Jurgis Çyrbja”.

Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u arrestua të dielën në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur në një njoftim të shkurtër se urdhërarresti është lëshuar nën akuzat ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; ‘Përkrahja e autorit të krimit’, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit’, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”. Korrupsioni aktiv në zgjedhje parashikon dënim nga një deri në pesë vjet ndërsa neni 302/1/2 parashikon dënimin nga dy deri në shtatë vjet. Neni 295/1 parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vjet.

Exit mobile version