I arrestuar për tjetërsim pronash, GJKKO lë në burg Jorgo Goron, ja masa për Bilbil Aliajn dhe Vezir Gjikokën

GJKKO ka lënë në fuqi masën sigurisë “Arrest në Burg” për kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, i arrestuar për tjetërsim pronash.

 

Për Vezir Gjikokën është lënë në fuqi masa “Arrest në shtëpi’, ndërkohë GjKKO ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj, Bilbil Aliajt, i cili është lënë në detyrim paraqitje.

Goro akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me pronën ku Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, po ndërton një investim strategjik në miliona euro.

Vezir Gjikoka - Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë
Vezir Gjikoka – Jurist pranë ASHK-së, Drejtoria Vendore Vlorë

SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Bilbil Aliaj – Ish Drejtor i ASHK-së, Drejtoria Vendore Vlorë

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet.

Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.

Exit mobile version