Mbrojtësi i Arsenalit, Majls LjuisSkeli, po i afrohet një debutimi shokues me Anglinë, pavarësisht se ka bërë vetëm tetë ndeshje si titullar në Premier Ligë. Trajneri i ri i “Tre Luanëve”, Tomas Tuhel, duke bërë përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Botërorit të muajit të ardhshëm kundër Shqipërisë dhe Letonisë, ka mbetur i befasuar nga forma e adoleshentit që ka luajtur si mbrojtës i majtë për Mikel Artetën këtë sezon.
Anglia ka mungesa në këtë zonë, me Ljuk Shoun dhe Ben Çiluellin që kanë pësuar probleme të shumta lëndimesh. Ljuis Holl i Njukasëllit luajti dy herë për Anglinë nën trajnerin e përkohshëm Li Karslej në nëntor. Ndërsa Riko Ljuis, Kajl Uoker dhe Levi Koluill kanë luajtur gjithashtu si mbrojtës i majtë për “Tre Luanët”.
Xhed Spens i Totenhemit ka qenë gjithashtu në formë të mirë për Totenhemin si mbrojtës i majtë, edhe pse ai luan në krahun e djathtë. Megjithatë, Tuhel do të preferojë lojtarët që luajnë në pozicionet e tyre natyrale dhe Ljuis-Skeli, 18 vjeç, tashmë duket shumë komod në atë pozicion. Ajo që është akoma më e pabesueshme, është se ai mund të marrë ftesën e parë me kombëtaren, pa luajtur ende për U-21, ndërkohë që e bëri debutimin e tij me Anglinë U-19 vetëm në shtator, kundër Kroacisë. Më herët, shoku i tij i skuadrës, Deklan Rajs ka thënë për të:
“Ky fëmijë është thjesht i veçantë, shumë i veçantë. Ai mund të shkojë në majë. Që një 18- vjeçar të ishte aq i mirë, aq komod, aq i fortë, është sikur të ta kishe ndërtuar në një laborator. Këtë i thashë një ditë më parë. Është thjesht e pabesueshme se sa i mirë është. Ai ka ende një rrugë të gjatë përpara. Por është aq i pjekur dhe ka një familje të shkëlqyer përreth”.