Djali i kryetarit socialist të Bashkisë të Kurbinit, Artur Bardhi, ka shkaktuar një aksident të rëndë, duke përplasur një makinë policie me 4 të plagosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime nga Policia e Lezhës bënë të ditur se, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, në superstradën Fushë-Mamurras, në kryeqëzimin e Patokut. Policia deklaroise, autori i aksidentit, Kledi Bardhi, djali i kryebashkiakut të Laçit është larguar nga vendi i ngjarjes.
20-vjeçari Bardhi udhëtonte me një automjet “Benz”, me targë AA 111 OU dhe si pasojë e shpejtësisë së madhe ka përplasur një makinë policie dhe një automjet tip “Ford” me targë AA 602 CH. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë kanë mbetur të plagosur, një efektiv i Policisë Rrugore dhe 3 pasagjerë në mjetin tip “Benz”. Bëhet e ditur se efektivi i policisë është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa tre të plagosurit e tjerë janë dërguar në Spitalin e Lezhës dhe sipas burimeve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve të policisë, djali i kryebashkiakut socialist udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe pa e prishur terezinë që ishte në një kryqëzim. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, ai ka përplasur mjetin tip “Benz” dhe një makinë policie që mbante radarin nga mbrapa. Policia, e cila shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Policia: Djali i kryebashkiakut iku nga vendi i ngjarjes
Policia bëri të ditur se djali i kryebashkiakut të Laçit u shpall në kërkim pas aksidentit rrugor, ku përplasi një makinë policie dhe një makinë tip “Benz” dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Në këtë aksident mbetën të plagosur tre persona, mes të cilëve dhe një efektiv policie. Punonjësi i policisë së patrullës Mamurras-Milot ndodhet në rrezik për jetën, pasi makina në të cilën ai ndodhej u godit nga “Benz”-i, i cili drejtohej nga Kledi Bardhi. Në aksident mbeti i lënduar lehtë edhe djali i kryetarit socialist të Bashkisë së Laçit, i cili ka arritur të largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai u shpall në kërkim menjëherë pas këqyrjes së aksidentit, por ende nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij.
Të plagosur mbetën edhe dy pasagjerët që ndodheshin në makinën tip “Benz” të drejtuar nga Kledi Bardhi. Ata janë në spital nën kujdesin e mjekëve. Policia në njoftimin paraprak të bërë publik për median nuk jep detaje të rrethanave të aksidentit. Por, paraprakisht mësohet se të dy makinat e ndaluara në rrugë edhe ajo e policisë, edhe “Ford”-i janë përplasur nga “Benz”-i. Por drejtuesit e Policisë Rrugore në Lezhë thanë se ngjarja po hetohet.
Kryetari i Bshkisë së Laçit nuk ka dhënë asnjë sqarim për aksidentin dhe vendndodhjen e djalit të tij. Mesa duket edhe djali i kryebashkiakut socialist të Laçit po mbahet i fshehur për të mos iu dorëzuar drejtësisë ashtu si në mjaft raste të tjera të zyrtarëve të qeverisë. Kryetari i PS të Peqinit, Edurim Teqja ndonëse është shpallur në kërkim për vrasjen e 17-vjeçarit Gjoklaj në landfillin e Sharrës qëndron i fshehur, por nuk ka frikë të shfaqet në takimet e PS, ku ndodhen edhe drejtues të lartë të qeverisë. Po ashtu edhe i shpalluri në kërkim ndërkombëtar droge, Klemend Balili qëndron në Sarandë dhe shoqërohet me oficerë policie.
20-vjeçari i kryebashkiakut të Laçit, me makina luksi
Kledi Bardhi, djali i kryebashkiakut socialist që drejton Bashkinë e Laçit udhëtonte me shpejtësi të lartë në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot e për pasojë, ka përplasur nga mbrapa makinën e policisë që mbante radarin si dhe makinën tip “Benz”. Nga postimet që 20-vjeçari bën në rrjetet sociale duket i fiksuar pas makinave të shtrenjta. Ai shfaqet shpesh në timonin e mjeteve si “Benz” dhe “Audi”, por pozon edhe para tyre.
Babai i tij, Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Në formularin e vetëdeklarimit në KQZ për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Kurbinit, Bardhi, e ka pranuar vetë se ka përdorur katër emra të ndryshëm. Këto 4 emra, ai i ka vendosur në seksionin “emra të padokumentuara”, por nuk dihet përse i janë dashur 4 emra. Për këtë janë hedhur dyshime se ai ka qenë i inkriminuar.
Një makinë policie, e cila ishte në patrullim u godit nga makina që drejtohej nga djali i kryetarit të Bashkisë së Laçit. Policia nuk ka dhënë shkaqet e aksidentit, por shpalli në kërkim Kledi Bardhin, ndërsa një punonjës policie është rëndë. Kledi Bardhi, i biri 20-vjeçar i Artur Bardhit u përfshi në një aksident me dy makina të tjera, njëra prej të cilave ishte një makinë policie në patrullim, kurse tjetra makina private e një polici tjetër.
R.POLISI