I biri i “Madam Lokomotivës” tjetër tender 25 milionësh

Në buletinin e APP dt. 29.02.2016 është publikuar kontrata e lidhur rishtaz ndërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkimit të operatorëve ku pjesëmarrës është dhe Alcons (Besnik Leskaj, djali i Valentinës). Vlera e kontratës 2.511.540 lekë
Janë miliona euro të përfituara nga kompanitë e bizneset e djemve të Valentina Leskajt, para këto të marra nga fondet publike
Familja e deputetes socialiste, njëkohësisht nënkryetare e Kuvendit, Valentina Leskaj vijon të zhvasë paratë publike përmes kompanive të djemve të saj. Një tjetër denoncim për marrjen e një tenderi nga djali i nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj është bërë publik. “Vazhdon gara e shfrenuar e vjedhjeve nga familjet e pushtetit! ‘Madame Lokomotiva’ nuk ka të ndalur”, shkruan ish-Kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në Facebook. “Qytetari dixhital denoncon: Dhënien e tenderit me 2.511.540 lekë, pa shpallje, një grupi operatorësh ku në mes është edhe Besnik Leskaj, fiks djali i ‘Madame Lokomotivës’! Për qeveritarët, hajdutët e shtetit, familjarët e tyre ligji i konfliktit të interesit nuk ekziston! Lexojeni vetë mesazhin e qytetarit dixhital”, vazhdon shënimin e tij ish-Kryeministri Berisha. “Përshëndetje z. Berisha. Desha t’ju njoftoj se në buletinin e APP dt. 29.02.2016 është publikuar kontrata e lidhur rishtaz ndërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkimit të operatorëve ku pjesëmarrës është dhe Alcons (Besnik Leskaj, djali i Valentinës). Vlera e kontratës 2.511.540 lekë. Edhe lloji i procedurës negocim pa shpallje i përdorur në rastin konkret është totalisht në kundërshtim me ligjin për prokurim publik sepse pengon konkurrencën e lirë, transparencën e zhvillimit të procedurës. Nëse ju duhet më shumë informacion më kontaktoni. Ju përshëndes”, thuhet në denoncimin e ish-Kryeministrit Berisha. Janë miliona euro të përfituara nga kompanitë e bizneset e djemve të Valentina Leskajt, para këto të marra nga fondet publike. Sipas fakteve të parashtruara nga Grupi parlamentar i PD, nga verifikimi i procedurave të koncesionit për segmentin hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, rezulton se është shpallur fitues dhe i është dhënë me koncesion 25 vjet bashkimit të përkohshëm të operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Nga të dhënat e QKR rezulton se, shoqëria “Matrix Konstruksion” shp.k. është në pronësi të djalit të deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj. Gjithashtu, më datë 11 qershor 2015, shoqëria “ABKONS” sh.p.k. në pronësi të djalit tjetër të deputetes Valentina Leskaj, ka lidhur kontratë me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, me vlerë 1,292,400 (1 milion e dyqind e nëntëdhjetë e dy mijë e katërqind) euro, për përgatitjen e planeve të menaxhimit të baseneve lumore për Drin-Buna dhe Seman. Ndërkohë, po me të njëjtën ministri, më datë 24.11.2014, kjo shoqëri ka lidhur një tjetër kontratë, me vlerë 45,989,589 lekë. Përfitimi i këtyre pasurive publike dhe fondeve publike është bërë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin, dhe passjell mbarim të mandatit të deputetes Valentina Leskaj, për shkak se është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe ligjin.  Nga deklarata e pasurisë së Valentina Leskajt rezulton se të ardhurat e saj, bashkëshortit, 2 djemve dhe nuses së djalit, pra gjithsej 5 anëtarëve të familjes janë rreth 550 mijë euro për vitin 2014 ose 760 milionë lekë të vjetra për vitin 2014. Kjo familje arrin të fitojë për çdo muaj afërsisht 45 mijë euro ose 64 milionë lekë të vjetra në muaj. Ose 1500 euro në ditë ose mbi 2 milionë lekë në ditë. Kjo familje ka 9 objekte që jep me qira dhe 13 llogari bankare me vlerë rreth 50 mijë euro. Djali i saj, Besnik Leskaj, çuditërisht merr 6 paga, madje paguhet edhe në Bashkinë e Elbasanit. Gjithashtu në vitin 2014, kanë përfunduar edhe një vilë që kushton rreth 200 mijë dollarë dhe kanë mbyllur së paguari edhe një kredi me mbi 1 milion euro.

A.Shahini

Artikulli paraprakKëlliçi: Papunësia e të rinjve kap shifrat zyrtare 33 %
Artikulli tjetërAfera 479 milionë euro me CEZ në raportin zyrtar të KLSH