Nga Gent STRAZIMIRI
I dashur Sovran,
Ti më datë 23 qershor fole!
Dhe’ verdiktin tënd sipas ligjit dhe Kushtetutës së kësaj Republikës sonë, me qetësinë dhe urtësinë që të karakterizon, në oraret dhe vendet e përcaktuara që më parë, pa u shqetësuar nga askush.
Edhe po të mundja, nuk ta fsheh dot që verdikti yt më tronditi, por, sigurisht, e pranova me shumë përulësi, siç dhe më takon.
Me po aq vëmendje e përkushtim u ula ta lexoj për të zbërthyer arsyet e vendimit që ke marrë për t’i pasur busull orientuese ditët në vazhdim.
U bënë kaq ditë, por të them të drejtën, këtë radhë nuk po marr vesh asgjë…
Pas një fushate zgjedhore sfilitëse (gjatë së cilës të kam kërkuar e takuar, më ke pritur e më ke dëgjuar, kemi biseduar e debatuar, herë jemi kuptuar e herë s’jemi besuar), më je shfaqur, pasi dhe’ verdiktin me të gjitha format e komunikimit që Sali Berisha na i bëri të mundshme t’i kemi në telefon të dy këto 8 vite, ti dhe unë, d.m.th., me SMS, Whatsapp, Messenger, Viber, Facebook a ku di unë se çfarë tjetër, nga çdo majë mali a breg lumi e deti dhe të kam ndjekur në heshtje për të kuptuar diçka.
Të kam ndjekur me shumë vëmendje kur më je shfaqur, herë me lot dëshpërimi e zhgënjimi nga verdikti yt, herë me arsyet se pse i njëjti verdikt ishte ai i duhuri dhe që ishte përgatitur prej teje pikërisht për “të më ndëshkuar”… (?!)
Puna është se kur e mat me realitetin që verdikti yt prodhoi, arsyet që më jep s’i qëndrojnë besnike, përkundrazi…
Më thua se më ndëshkove për shkak të arrogancës që manifestoja në pushtet dhe verdikti nxori të vetmen qenie që nuk la vend, fshat, qytet, mal a fushë të Shqipërisë pa të fyer e sharë drejtpërsëdrejti në TV, kur të merrte nga dora mikrofonin, të përfliste edhe fëmijët e lindur e të palindur, të fyente në sy prindin flokëbardhë dhe, në fund, të përshëndeste me gishtin e mesit drejtuar lart…
Më thua që më ndëshkove për korrupsion, por verdikti yt, në fakt, ka nxjerrë fitues real të zgjedhjeve të dy personazhet e skandalit korruptiv të shekullit, të publikuar me zë dhe figurë, dhe që shërbeu si sebep për të djegur Tiranën dhe për të lënë pa frymë të gjithë Shqipërinë për të paktën 5 të premte rresht…
Ti do të thuash që akuza nuk u provua dhe videoja doli e manipuluar të paktën 28 herë. Ashtu është, s’e luan as topi, por mos harro se atë që e manipuloi atë dreq videoje, verdikti yt e nxori të parë të vendit, ndërsa këtë tjetrin, të manipuluarin, ti kurrë s’e besove se kishte tjetër fytyrë veç asaj të videos…
Më thua që më ndëshkove “me votë kundër” sepse t’u vonua kësti i dytë i parave të gjyshit të pushkatuar padrejtësisht nga komunistët dhe tani që, për shkak të verdiktit tënd, ai që ta vrau është përsëri i pari i vendit, ndjehesh se ke vënë në vend drejtësinë, ke marrë hakun e gjyshit…
Më thua që më ke ndëshkuar për luftë të pamjaftueshme ndaj krimit, por verdikti yt ka futur në Parlament, me imunitet, të paktën 20 burra që vijnë nga bota e trafikut të drogës dhe prostitucionit dhe, të paktën 5 prej tyre rezultojnë ende aktivë në këtë zanat…
Më thua që më ndëshkove se PD ishte e mbushur me komunistë e bij komunistësh të fshehur, që punonin kundër teje, dhe verdikti yt më nxjerr fitues koalicionin ku partia e Enver Hoxhës është pjesëtare 5 herë, 4 herë me emrin Parti e Punës dhe një herë me emrin Partia Socialiste…
Në fund fare më thua që ke votuar kundër sepse “x” ministër, kur të vinte në fshat, ishte i larë dhe i parfumosur me erë të mirë…
Duke e njohur ministrin, këtu të jap të drejtë, lahet dhe parfumoset çdo ditë, por kjo mbetet e vetmja e vërtetë…
Pjesa tjetër e arsyeve që më jep më duket e marrë borxh nga llafazanët që poterosen nëpër studio televizive apo gazeta dhe që përpiqen të fitojnë bukën e gojës duke lëpirë, sipas radhës dhe interesit, secilin prej atyre që ka në dorë “kockën”.
Problemi është, i dashur Sovran, se ata llafosen çdo ditë që ka falur Zoti, sepse atë “zanat” kanë, ndërsa ti llafos vetëm një ditë në katër vjet…
Atë ditë, të vetmen në katër vjet, ti vendos për rrugën e fshatit, ujësjellësin, kanalizimet, për shkollën dhe ambulancën, në fund të fundit për gjëra konkrete që jetën tënde e bëjnë më të lehtë ose e lënë të bëhet edhe më të pajetueshme.
Por verdikti yt nuk ka marrë parasysh asgjë nga këto, madje na paskësh bërë lëmsh edhe sondazhet dhe sonduesit, politologët, analistët, opinionistët dhe strategjistët (llagap i ri ky), të cilët bëjnë “bé dhe rrufe” që ti duhet të kesh ndërruar mendje 48 orët e fundit para ditës së votimit, sepse deri të premten në mëngjes ishe tërësisht i dyzuar midis PS dhe PD dhe nuk bëhej fjalë për partiçka të tjera, që verdikti yt i së dielës i bëri luanë…
E gjithë kjo mundet edhe të jetë inteligjencë superiore që vetëm ti i dashur Sovran e ke, dhe prandaj ti nuk gabon kurrë, por problemi është nëse Shqipëria e katër viteve që vijnë, a do të jetë më e sjellshme, më e paqme, më e mirëkuptueshme ndaj halleve të tua me në krye individin që ka për moto “q… nënën që të të thërrasin babë”?
A do jetë Shqipëria më e pakorruptuar nën drejtimin e personazheve më traumatike që një skandal korrupsioni ka prodhuar ndonjëherë në këtë vend?
A do të jetë Shqipëria më reflektive dhe e ndjeshme ndaj viktimave të sistemit komunist, pronarëve të vjetër e të rinj nën drejtimin e koalicionit, që ka në themel restaurimin e Enver Hoxhës?
A do të jetë Shqipëria më pak e kriminalizuar nën drejtimin e një maxhorance, e cila kartonin jeshil (që ti ia dhe në shenjë sovraniteti) do ta mbajë në të njëjtat duar që shesin drogë, menaxhojnë prostituta dhe tërheqin këmbëzën e pistoletës edhe ndaj policit?
Sado që diplomatët e huaj, fjala vjen, të thurin lavde për mençurinë që tregove këtë radhë, ti dhe unë, i dashur Sovran, e dimë që faktet janë këto dhe, me ç’ke folur këtë radhë, bëhem shumë pesimist për të ardhmen tënde dhe timen…
A e di pse? Sepse nuk kam dashur dhe nuk do të dua kurrë të më thërrasësh “babë”! Jo sepse jam burrë i mirë dhe as sepse dua të të shitem më esnaf, por për faktin e thjeshtë dhe po aq të vërtetë nga sa thashë më sipër, që “nëna” jote është edhe e imja…jo e diplomatëve, që këtë vend e kanë thjesht një stacion para pensionit…
Mirëpo, për fat të mirë, i dashur Sovran, ti, ose më saktë, gjysma jote, ka folur me votë, por gjysma tjetër e jotja ka folur edhe duke ndenjur në shtëpi pa votuar, e bindur, me sa duket, se indiferenca është përgjigjja më e mirë.
Kjo gjysma jote, klithëse në heshtjen e saj, ajo që askush nuk ia mbushi mendjen, madje as 50 mijë lekëshi që çorientoi sondazhet dhe sondistët, nuk mund të jetë pjesë e llogaritjeve, muhabeteve dhe dërdëllitjeve pa bukë që llafazanët zanatçinj prodhojnë në studio televizive apo në gazeta, sepse “kocka” që presin të lëpijnë duhet të jetë patjetër në “duar të pastra”, se ndryshe ku është… “morali”?
Sipas një mikut tim, i dashur Sovran, paraja e shpërndarë këtë radhë dhe që sondazhet dhe sonduesit nuk e matën dot, ka shërbyer që “baba”, i dalë nga verdikti yt, të bëjë qejf, pa e vrarë mendjen, me nënën tonë të përbashkët nja 4 vjet të mira…
Ai thotë gjithashtu se pazari në semaforët e Riminit natën është më i lartë dhe më i vështirë se ky i 48 orëve të fundit të “heshtjes reflektuese” para verdiktit tënd…
Kështu që, duke qenë se “babë” s’të bëhem dot dhe, duke qenë se të vlerësoj shumë më shumë se 50 mijë lekë në 4 vjet, e vetmja shpresë që kam për “nënën” tonë të përbashkët, është që t’ia nis nga ajo pjesa jote e heshtur, që as politologët, as analistët, as diplomatët dhe as strategjistët nuk e fusin në hesap…
T’u shpjegoj të heshturve se nuk e kanë luksin të rrinë në shtëpi, sepse, përndryshe, të gjorën “nënë” na e shesin më lirë së në Rimini… dhe jo për një herë, por për të paktën katër vjet!
(Gazeta Panorama, 6 korrik 2013! Domethënë 6 vjet ose “3 ambasadorë” më parë)