I dënuari me 15 vjet burg në Itali në krah të Ramës

I shpalluri në kërkim ndërkombëtar nga Italia për trafik droge, një nga eksponentët kryesorë të fushatës së Muharrem Ramës në Dibër. Personi i markuar me rreth në foto është Jonald Mato, i cili në foto shfaqet në krah të kandidatit të Ramës për Bashkinë e Dibrës si dhe të të inkriminuarit Arben Ndoka. Ata janë fotografuar pas një takimi elektoral të Ramës me dibranë. Ai është pjesë e grupit të strukturuar kriminal, që Rama ka angazhuar për kanosjen e dibranëve dhe vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër. Mato rezulton të jetë me precedentë të fortë penalë. Ai është dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Itali, e madje është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti fqinj, por ai gëzon mbrojtje të plotë nga Saimir Tahiri, me të cilin ka lidhje ortakërie në lojërat e fatit. Mësohet gjithashtu se, Mato është djalë teze i Muharrem Ramës, kandidatit të Ramës për Bashkinë e Dibrës.
Këto të dhëna kanë qenë denoncimi i një qytetari, të cilin ish-Kryeministri e ka publikuar dje. “I dënuar me 15 vjet burg për trafik droge në Itali, në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, ortak në lojëra fati me Sajmir Tahirin, i kapur aksidentalisht para 6 muaj nga policia dhe i liruar me urdhër të Saimir Tahirit për shkak të fletë arrestit ndërkombëtar, djalë teze i Muharrem Ramës”, thuhet në denoncimin e postuar nga ish-Kryeministri Berisha.
Çdo ditë po dalin fakte skandaloze nga fushata e Partisë Socialiste në Dibër. Përveç përfshirjes së të gjithë strukturave të shtetit dhe policisë në krah të kandidatit të tyre Muharrem Rama, shtohen denoncimet edhe për përfshirjen e eksponentëve të krimit. Këta të fundit, madje janë pjesëtarë të familjes dhe shtabit të ngushtë të kandidatit Rama të Ramës, siç është rasti konkret i Matos.
Në foton e publikuar ku ndodhet Mato bashkë me kandidatin e Ramës dhe të inkriminuarin Arben Ndoka ndodhet edhe Shefi i Krimeve të Mirditës, Klajdi Osmani, i cili është angazhuar në fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Dibër. Ai është fotografuar në një takim elektoral së bashku me ish-deputetin e Partisë Socialiste të dënuar për prostitucion në Itali, Arben Ndokën. Në foton e mësipërme, Klajdi Osmani qëndron i ulur përballë Ndokës (në rreth, i dyti nga e djathta). Në tavolinë gjendet edhe Nehat Rama, vëllai i kandidatit të PS për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama (personi përballë në foto). Angazhimi i efektivëve të policisë në fushata elektorale është i ndaluar me ligj. Por kjo nuk e ka penguar Klajdi Osmanin, që të bëjë fushatë për socialistët në Dibër. Pak ditë më parë, një grup i strukturuar kriminal është denoncuar nga Partia Demokratike si organizator të një skeme të mirëfilltë për blerjen e votave për zgjedhjet për kryebashkiak në Dibër. Ky grup i strukturuar kriminal blen vota dhe kanos votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama.
Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi 10 ditësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër, duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës, por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër.

Arben Shahini

Exit mobile version