Nga Erion Mollaymeri
“Dhjetë herë faleminderit që na i dhe, njëqind herë faleminderit që na i more!” kjo batutë mbyllëse e një skeçi historik të trupës së komedisë së Durrësit më vjen në mend kur shikoj sjelljen e shoqërisë drejtuar sistemit të ri të Drejtësisë.
Aktori Fadil Hasa, në rol, si përfaqësues i një familjeje të varfër, pranon fillimisht ofertën e një shume parash që do t’i ndryshonin jetën. Por kur sheh që përçarja në mendësi me gruan sillte konflikt, duke konfirmuar se familja nuk ishte gati për këtë ndryshim nga komforti i zonës së varfërisë ku kishin hyrë, vendos t’ia kthejë përsëri paratë ofertuesit.
E njëjta ndjesi duket se po përjetohet ndaj “ofertuesve” tanë për implementimin e drejtësisë.
Aleatët më të zhvilluar në Perëndim, si pasojë e zërave tanë që klithnin për drejtësi, na dhanë një dorë duke ndihmuar popullin. Dhe ne, në eufori për këtë mekanizëm të ri, të pamësuar më parë, u munduam ta drejtonim sipas zhdrejtësisë sonë.
E kemi kërkuar kaq shumë barazinë dhe drejtësinë, por e paskemi konceptuar kaq shumë ndryshe nga njeri-tjetri, aq sa tani jemi gati t’ua kthejmë mbrapsht atyre që na e ofruan.
Për dikë vija e drejtë përkthehet në rrugën që të shpie nga zyra tek vila në plazh, për dikë tjetër vija e drejtë shkon nga portofoli i tij tek portofoli i drejtorit, duke u shkurtuar në hapësirë, dhe të paktë janë ata që e vlerësojnë barazinë që ofron drejtësia si sakrificë për brezat në vijim.
Të paktë janë ata që e njohin prejardhjen e mekanizmit të drejtësisë, moralin.
Sepse morali i është bashkangjitur figurës së “Naivit”, të vjedhurit, pikërisht për të qenë më i thjeshtë për t’u vjedhur.
Shekuj më parë, si pasojë e kësaj dukurie, që përjetohet aktualisht në shoqërinë tonë, lindi nevoja për ta ngritur konceptin e drejtësisë si institucion, në një rreth institucionesh që në mënyrë automatike do të prodhonin demokracinë, dhe jo më kot ndërtimi i termit nga greqishtja e lashtë si bashkim fjalësh, shpreh pushtetin e trupit të madh të bashkësisë.
Për ta përjetuar konkretisht këtë të shumëpërfolurën demokraci, mjafton të jemi bashkë, një trup, dhe të mendojmë si të tillë.
Por formimi jonë në kohë na konfirmoi, se për ne, çdo sistem ku në qendër ka qytetarin, kthehet në utopi. Sepse shkëputja sa më shumë nga bashkësia na ka ndarë nëpër perspektiva, dhe si pasojë, pozicionimi, na bën të mos shohim të vërtetën siç është.
Nëse do të vijëzojmë një linjë horizontale në dërrasën e zezë të një klase, do të vëmë re në bazë të perspektivave të rrezes së shikimit që ajo vijë, edhe pse e drejtuar nga mekanizmi më i drejtë i mundshëm, ngrihet dhe ulet në skaje, duke dhënë idenë e një peshoreje që ngrihet gjithnjë në favor të kundërshtarit.
Pra, ata që janë ulur në bankat e para majtas, nga ai kënd vështrimi, do të shohin vijën të ngrihet djathtas dhe të ulet në skajin e tyre. Anasjelltas edhe nga krahu i djathtë ndodh e njëjta gjë.
Ndërsa ata që janë të pozicionuar në qendër, e vërtetojnë drejtësinë e linjës dhe baraspeshën në skaje. E vetmja mënyrë për ta kuptuar mbetet dalja nga zona e komfortit dhe shqyrtimi i vijës edhe nga perspektivat e tjera.
Deri më sot qenien njerëzore e ka karakterizuar dëshira për dije dhe si pasojë studimi.
Cilët janë faktorët që e kanë kthyer qenien tonë në pasivitet të plotë duke mos e çuar as nëpër mendje ngritjen nga karrigia e zonës komforte për të përpunuar njohurinë dhe për t’u ndjerë pjesë e bashkësisë?
Renditja e faktorëve mund të jetë e panumërt, por momenti kyç ku jemi çliruar krejtësisht nga sakrificat e roleve njerëzore duke i dhënë besim vetëm instikteve bazike të gjallesës, mbetet i ngulitur në ndërgjegjen tonë si pjellë e një kompromisi në gjenezë.
Është përhumbur nëpër kujtimet tona, si një fotografi ku shfaqen shtrënguar disa duar që kanë realizuar një pakt. Dhe mbi atë pakt kontraktues nuk mund të shkelim më.
Aty ku kemi pranuar si disa kafshë shtëpiake të mbyllim gojën nga një biskotë e shijshme, aq e shijshme saqë në kujtesë na mbetet vetëm euforia që ofron ajo biskotë. Dhe euforinë automatikisht ia veshim dorës që na e ofron.
Kështu, emancipimi i shoqërisë është ngritur në nivel, nga kafshë rruge në kafshë shtëpiake.
Sepse sasia e shtëpive e ka mbyllur hapësirën e lirive që mund të shprehnim nëpër rrugë, nëpër parqe, nëpër sheshe. E ka tejkaluar nevojën duke na bindur se duhet të mbyllemi sa më shumë.
Të ndahemi sa më shumë nga bashkësia, e si kafshë të mira shtëpiake, të ruajmë vetëm padronin që na dend me biskota të shijshme. Dhe ashtu të mbyllur në shtëpi adhurojmë nga ekranet e televizorit njerëz po të mbyllur në shtëpi si ne, që zihen e shahen, duke shfaqur të vetmin tipar tipik të trashëguar nga represioni.
Ndërkohë që ne ruajmë padronët të mbyllur në shtëpi, ata vazhdojnë ndërtimet e shtëpive të legjitimuar nga ne.
Shijojnë lirinë e plotë edhe kur duhet të mbyllen nëpër burgje. E njerëzit dalin nëpër protesta për të shmangur burgun e padronit, duke mos qenë të ndërgjegjshëm që ato biskotat e shijshme mund të jenë në gjendje t’i blejnë vetë, nëse çmimet do të kishin një proporcion logjik me të ardhurat. Kjo është arsye për protestë!
Por ajo vija e drejtë, humb në abstraksionin e konceptit të ndikuar nga kjo psikozë që prodhon paradoks.
Drejtësia e re na ka dhënë ne lirinë të vendosim dhe ka mbyllur në burg ata që vendosnin për ne, por në të kundërt të burgosur rrimë ne dhe ata vazhdojnë shijojnë lirinë.
Drejtësia e ka sfidën me ne. Ne po e shtrembërojmë. Duke mos pranuar të bëhemi bashkë brenda një shteti kaq të vogël.
Dhe politikanët duan të marrin autorësinë e sistemit të drejtësisë, secili sipas shkurtësisë së interesave të tyre. Por barazinë dhe drejtësinë e kemi prodhuar ne. Lind si nevojë e bashkësisë sonë.
Askush nuk është përgjegjës veç nesh, dhe vetëm bashkë mund ta mbajmë në jetë. I drejtë SPAK apo i zhdrejtë, presjen e vendosim vetë./ citizens.al