I fundit i “tradhtarëve”

Me refuzimin e rinovimit të kontratës te Milani, Gianluiggi Donnarumma hyri zyrtarisht në klubin e tradhtarëve: futbollistë që në ndjekje të parave dhe një karriere më të mirë kanë zhgënjyer tifozët me zgjedhjet e tyre. 18-vjeçari nuk është i pari e ndoshta nuk do të jetë as i fundit që për një arsye apo një tjetër vendosi të largohej nga klubi që e rriti, i dha besim dhe e promovoi.
Por, disa tradhti janë më pak të lehta për t’u harruar se të tjera dhe ky është rasti i Donnarumma-s. Kur puthi stemën e Milanit, pas ndeshjes së humbur në shtesë ndaj Juventusit, Gigio krijoi iluzionin se do të qëndronte edhe për 10 vjet te kuqezinjtë. Por, kjo nuk ndodhi. Portieri i talentuar ndoqi rrugën që përpara tij e kanë përshkuar edhe emra të tjerë të mëdhenj. Rasti më flagrant është ai i Luis Figos, që u transferua nga Barcelona te Reali i Madridit, një zgjedhje që nuk është falur kurrë nga tifozët “blaugrana”.
Në Itali rastet e tradhtisë janë të shumta, me kalimin e Roberto Baggio nga Fiorentina te Juventus. Tifozët në Firence u zemëruan dhe pushtuan rrugët, por kjo nuk e ktheu vendimin e “bishtalecit hyjnor”. Zgjedhje të tilla vazhduan me “fenomenin” Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviç. Pasi kanë veshur fanellën e Interit, të dy luajtën edhe me Milanin. Rast i njëjtë në Serinë A është edhe ai i Mario Balotellit.
Ibrahimoviç e ka njohur tradhtinë pas puthjes, kur vendosi të largohej nga Barcelona pikërisht për t’iu bashkuar Milanit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Pjaniç, që nga Roma u transferua te rivalët e përjetshëm të Juventusit. Në historinë e viteve të fundit, tradhtitë janë shtuar, edhe sepse në futbollin modern praktikisht nuk ka flamuj të ekipit. Francesco Totti ishte lojtari i fundit që ia kushtoi karrierën vetëm një skuadre, Romës. Donnarumma mund të ishte bërë i tillë, por i ndikuar edhe nga menaxheri Mino Raiola 18-vjeçari zgjodhi paratë.

Artikulli paraprakRobben mendon tërheqjen nga futbolli
Artikulli tjetërTotti merr një ofertë interesante