Një shtetas amerikan me origjinë nga Afganistani është i dyshuari që kërkohet nga autoritetet e Nju Jorkut lidhur me shpërthimin që plagosi këtë fundjavë 29 persona.
NYPD bëri publike edhe foton e 28-vjeçarit të identifikuar si Ahmad Khan Rahami. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse episodet tronditëse kanë lidhje mes tyre, e ndoshta edhe me atentatin e Minnesotës të marrë përsipër nga ISIS-i.
“Druhemi se bëhet fjalë për një celulë aktive”, ishin komentet e zyrtarëve të sigurisë për mediat vendase. Orët e fundit, forcat e policisë gjetën në New Jersey edhe një tjetër pako të dyshimtë me disa mekanizma të lidhura mes tyre me fije.
Nuk dihet ende me siguri, nëse bëhet fjalë për mjete shpërthyese të tipit “Pipe bomb”, si ato të çantës së mbushur me 5 bomba, që u diktua pranë binarëve të stacionit të trenit në “Elizabeth”. Dy persona e kishin parë çantën, nga ku dilnin disa tuba të hollë e fije dhe kishin lajmëruar policinë.
Përmes një roboti u përpoq të shihej brendia e çantës, por në momentin që është tentuar hapja e saj pati një shpërthim.
Autoritetet në Nju Jork po kërkojnë një 28-vjeçar në lidhje me shpërthimin e së shtunës në mbrëmje në Manhatan.
Policia po kërkon një individ të quajtur Ahmad Khan Rahami. Nuk janë dhënë hollësi të tjera, por kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio tha për rrjetin “CNN” se autoritetet kanë bindjen se, “duhet ta sjellin menjëherë për ta marrë në pyetje këtë individ”.
Byroja Federale e Hetimeve dhe Policia e Nju Jorkut vazhdojnë kërkimet për të dyshuar dhe lidhje të tjera të mundshme mes shpërthimit të shtunën në mbrëmje në Manhatan dhe një tjetër bombe që u gjet aty pranë. Autoritetet ndaluan në orët e vona të së shtunës “një automjet me interes” në autostradën e Bruklinit, një lagje e Nju Jorkut dhe FBI-ja tha se kishte marrë në pyetje pesë personat brenda automjetit, por asnjë prej tyre nuk ishte akuzuar për vepër penale.
Shpërthimi në lagjen “Chelsea” lëndoi 29 vetë, të cilët tashmë kanë dalë nga spitali.
Bomba e dytë u zbulua pak kohë pasi shpërtheu e para. Ajo përbëhej nga një tenxhere me presion dhe ishte lidhur me një celular. Policia arriti ta hiqte para se të shpërthente dhe e asgjësoi më pas në një shpërthim të kontrolluar. Teknikë të FBI-së po analizojnë në një laborator pranë Uashingtonit provat materiale nga dy bombat.
Tom Sanderson, drejtor i Programit të Kërcënimeve Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington tha për “Zërin e Amerikës” se, parashikon që hetuesit të nxjerrin të dhëna me vlerë nga këto analiza. “Do të ketë ADN nga dikush në tenxhere”, tha zoti Sanderson. Ai mendon se është 50% e sigurtë që një grup xhihadistësh të jetë përgjegjës për komplotin, por shton se në një zonë të larmishme si Nju Jorkut bomba mund të jetë vënë edhe nga një grup neonazist.
Pyetje që kërkojnë përgjigje
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio paralajmëroi dje se mbetet shumë punë për të zbuluar motivet e sulmit.
“Nëse sulmi kishte motive politike apo personale? Ende nuk e dimë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo e cilësoi sulmin “akt terrorist”, por tha se nuk ka prova se bëhej fjalë për “terrorizëm ndërkombëtar”.
Zoti Cuomo tha se janë dërguar 1000 forca shtesë nga Garda Kombëtare për të patrulluar sistemin e metrosë në Nju Jork.
Dy udhëheqësit thanë se nuk janë zbuluar ende prova që lidhin bombat e Nju Jorkut me një bombë që shpërtheu të shtunën në mëngjes në një kosh plehrash në një qytet bregdetar të Nju Xhërsit, 135 km në jug të Nju Jorkut. Askush nuk u lëndua nga ai shpërthim.
Autoritetet thanë se të shtunën u zbuluan mjete të tjera në një çantë shpine të hedhur në një kosh plehrash në një stacion treni në qytetin Elizabeth të Nju Xhërsit, pranë Nju Jorkut. Kryetari i Bashkisë së qytetit Elizabeth, Chris Bollwage tha se, një nga mjetet shpërtheu kur policia po përpiqej ta çaktivizonte me robot. Zoti Bollwage tha se duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike të stacionit dhe vendin ku u gjet çanta, ka shumë të ngjarë që dikush e kishte hedhur për t’i shpëtuar policisë dhe jo sepse donte që shpërthimi të ndodhte në atë vend.