Një i moshuar ka tentuar të vrasë veten me thikë para Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) në Tiranë. Bëhet e ditur se, ngjarja ka ndodhur para AKKP në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku 63-vjeçari me inicialet C.I., mbante në dorë një thikë. Ai ka terrorizuar qytetarët duke thënë se, “do të vras veten nëse nuk më kthehen pronat”.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe një efektiv ka arritur t’i heqë thikën nga dora 63-vjeçarit dhe e ka shoqëruar atë më pas në komisariat. I moshuari është shprehur se, Agjencia e Pronave nuk po i jep tokat e tij, pavarësisht se ka vendimet përkatëse. 63-vjeçari prej kohësh është sorollatur në zyrat e shtetit dhe nuk i është njohur e drejta për t’ju kthyer pronat, ndonëse i ka përfituar me ligj. Edhe pas këtij vendimi ekstrem, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk i ka dhënë pronën që i takon, ndërsa Policia bëri të ditur se ka referuar materialet në Prokurori për prishje të qetësisë publike dhe C.I është lënë i lirë më pas. Kjo ngjarje e rëndë që ka ngjallur frikë dhe panik tek qytetarët, flet qartë për korrupsionin në AKP.
Kompnesimi i pronarëve ka qenë një nga shqetësimet e përhershme të zyrtarëve europianë, por Rama nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje pronarëve. Që me krijimin e Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish- Pronarëve (KKKP) sot AKKP, filloi edhe problematika e zvarritjeve të çështjeve, vonesat në kthimin e përgjigjeve, akuzat për mostrajtim të drejtë, etj. Rama emëroi në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Sonila Qaton, e cila ka qenë drejtoreshë në Bashkinë e Ramës. Nga drejtoresha e kësaj agjencie nuk është firmosur as edhe një vendim i vetëm që i përket njohjes, kthimit apo kompensimit të së drejtës së pronësisë ndonjë subjekti.
Vetëm po pagove 20% merr kompensimin
Kthimi dhe kompensimi i pronës për pronarët bëhet vetëm nëse u jep 20 përqindshin zyrtarëve të qeverisë së Ramës. Ky skandal u denoncua para pak ditësh nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi mesazhin e një qytetari që sorollatej zyrave të AKP për të marrë kompensimin e pronës por, sipas tij, nuk ia japin, sepse nuk ka lekë që të paguajë 20 përqindshin. “Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje nga hajnat e Banditokracisë! Pronarëve iu vjedhin 20% të vlerës së kompensimit të pronës! Qytetari dixhital denoncon: Vjedhjen nga hajnat e shtetit të 20% të vlerës së kompensimit të pronës pronarëve të saj!”, shkruante Berisha në një postim në rrjetin social.
Pronarët shprehen se, duhet të paguajnë 20 përqindëshin tek drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Sonila Qato, që të marrin kompensimin që u takon me ligj. Rama e ka patur drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës Qaton dhe duke e patur një njeri të besuar e emëroi në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës për ta përdorur atë.
Korrupsioni drejtohet nga vetë Rama, i cili merr pjesën e tij, ndërsa pronarët sorollaten nëpër zyra. Vetëm ata që kanë paguar 20 përqindëshin kanë arritur të marrin kompensimin, ndërsa pjesa dërrmuese vazhdojnë të sorollaten nëpër zyra.
R.POLISI